Zëvendësimi budalla!
Shkruan Bedri Zenel Islami
Shefi i qeverisë shqiptare, Edi Rama, bëri sot në Asamblenë e PS, ndryshimet e ekipit të tij qeveritar.
Është e drejtë e tij të bëjë ndryshime, por edhe e drejtë e një forumi që e ka mandatuar të kërkojë më shumë informacion e të mos pranojë symbyllur çdo lëvizje.
Për herë të parë kemi një precedent politik, sipas të cilit, të gjithë ministrat që kanë mbi 5 vite në detyrë, do të largohen.
Edhe shefi i qeverisë ka pesë vite!
Sipas këtij precedenti , shenjë vlerësimi nuk janë arritjet apo dështimet, por qëndrimi në vite.
E padëgjuar, njëkohësisht edhe e habitshme.
Njëri nga ndryshimet, ndoshta më i paprituri, ishte ai i Ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, një figurë e njohur e diplomacisë shqiptare, me një anonim të politikës së jashtme, i cili, edhe pse shefi i qeverisë deklaroi se ka kryer shkëlqyeshëm studimet e tij, përsëri , edhe duke qenë për një kohë këshilltar i Ramës e më pas , nga qershori 2018, zëvendësministër, vazhdon të mbetet anonim.
Ditmir Bushati kishte krijuar profilin e tij politik dhe diplomatik. Para pak ditësh ai mori falënderime edhe nga nga institucione të rëndësishme evro-atllantike.
Është i vetmi ministër, nga gjithë të larguarit, që ikën më i pëlqyer se kur erdhi.
I vetmi që, në kohën e duhur, ka thënë fjalën e tij të saktë, megjithëse pa bujë, për çështje të nxehta.
I pritur të mos jetë më pjesë e qeverisë, ai, tani që largohet, ndjehet më shumë.
Sidomos ai u tregua i qartë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, duke vënë përparësitë në këtë kohë dhe duke qenë kundër ndryshimit të kufijve, çka ishte në ndesh me qëndrimin e shefit të qeverisë.
Tani, në këtë post të rëndësishëm, ku bota diplomatike zakonisht delegon njerëz të rrahur me çështje të nxehta, në fakt, ujqër të politikës, të njohur dhe me lidhje të gjëra në sferën e gjerë të diplomacisë, do të kemi një djalë të ri, Genci Caka, i cili, jam i bindur, edhe vetë ai nuk e beson se është bërë ministër i Punëve të jashtme të shtetit amë. Genci është shqiptar nga Kosova dhe, sinqerisht, ka qenë e mbetet një ëndërr e imja që, mes dy shteteve, të kishte edhe delegime të burrave të shquar.
Nuk e di përse është shquar ministri i ri i Punëve të jashtme. ndoshta si këshilltar i shefit të qeverisë dhe Edi Rama e ka dëshirën për t’i bërë këshilltarët e tij ministra.
Por, në të dy anët e kufirit, në të dy shtetet shqiptare, është koha vendosëse për një rritje të mendimit diplomatik dhe arritjes konkrete; në Shqipëri futemi në fazën e fundit të realizimit të ëndrrës për të qenë Shqipëria në Bashkimin Evropian; ndërsa në Kosovë, priten ashpërsime dhe përplasje të mëdha në bisedimet me Serbinë, të cilat duhet të kenë prioritetin absolut të qeverisë Rama në politikën e jashtme.
Çfarë do të bëjë më parë ministri i ri i jashtëm? Do të kërkojë të dalë nga anonimati apo do të jetë i pranishëm me mendimin e tij?
Do të ketë kohë perëndimi të mësojë emrin e tij apo kjo nuk është e rëndësishme?
Sa është e vërtetë se largimi i Bushatit ka lidhje me dy mospajtime të mëdha me shefin e qeverisë: me Paktin e Detit ndaj shtetit grek dhe, me kundërshtimin ndaj lëvizjes së kufijve mes Kosovës dhe Serbisë?
Shefi i qeverisë, në fjalën e tij në Asamblenë e Socialistëve, i falënderoi të gjithë ministrat 5 vjeçare që po largoheshin, megjithëse asnjëri nuk e dinte se do të ndodhte kjo.
Ai tha se të gjithë kishin bërë një punë të çmuar, të jashtëzakonshme.
Se do të ndjehej mungesa e tyre.
Pasi i falënderoi, i shkarkoi.
Për herë të parë një grup ministrash shkarkohen nga shefi i qeverisë se kanë bërë punë të shkëlqyer!!!
Disa prej tyre e kishin merituar prej kohësh, por, të paktën, shefi i qeverisë të ishte i ndershëm dhe t’ua thonte në sy se, shkarkimi i tyre ishte i vonuar.
Dhe të kishte shmangur zëvendësime budallenjsh, ku , një aderuese e zyrës së tij vendoset ministre kulture dhe ku, një djalë ende në fillesë, vendoset ministër i jashtëm.