Zelensky të nominohet për Nobelin për Paqe
Një grup figurash të njohura politike nga vendet europiane i bëjnë thirrje Akademisë Suedeze të Nobelit, të nominojë për Çmimin për Paqe edhe presidentin ukrainas Volodimir Zelenski dhe gjithë popullin e këtij vendi.
Përmes një letre drejtuar komitetit të Nobelit, 36 firmëtarët argumentojnë se e gjithë bota është dëshmitare për rezistencën që po i bën populli ukrainas, sulmit rus, në përpjekje për të mbrojtur demokracinë dhe vetëqeverisjen.
Në letër theksohet se populli ukrainas është ngritur në këmbë kundër autoritarizmit dhe se tani është momenti t’u dëshmohet se bota është në anën e tyre.
Shumica e firmëtarëve janë holandezë dhe britanikë, por ka edhe gjermanë, rumunë, bullgarë, sllovakë e estonezë. Afati i propozimeve për kandidatët e Nobelit është mbyllur që më 31 Janar.
Megjithatë, firmëtarët kërkojnë që aplikimet të zgjaten deri më 31 Mars. Gjatë kësaj kohe, të tjerë politikanë dhe figura të njohura mund ta nënshkruajnë këtë kërkesë.
Deri më tani Akademia Nobel nuk ka bërë asnjë reagim. Kërkesa për shtyrjen e afatit të nominimeve është e paprecendentë, siç është edhe lufta në Ukrainë, një rast i rrallë që pas luftës së dytë botërore.