Zelensky shpalos “planin e fitores” gjatë takimit me Bidenin
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, priti presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Shtëpinë e Bardhë më 26 shtator, pasi njoftoi për ndihma ushtarake për Kievin në vlerë prej mbi 8 miliardë dollarë, duke këmbëngulur përsëri se Rusia “nuk do të triumfojë” në pushtimin e saj të Ukrainës.
Zelensky i prezantoi Bidenit atë që ai e ka quajtur “planin e fitores” dhe përsëri kërkoi që Shtetet e Bashkuara të heqin kufizimet për përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi, që i ka ofruar Kievit, për të goditur thellë brenda Rusisë për të shënjestruar objektivat ushtarake.
“Rusia nuk do të triumfojë. Ukraina do të triumfojë, dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë jush në çdo hap të rrugës,” tha Biden ndërsa priti Zelenskyn në Zyrën Ovale dhe pasi e falënderojë për paraqitjen e planit.
“Ne e vlerësojmë thellësisht që Ukraina dhe Amerika kanë qëndruar krah për krah,” tha Zelensky, i veshur me një uniformë të stilit ushtarak ngjyrë jeshile të errët.
Zelensky u takua gjithashtu me nënpresidenten Kamala Harris, kandidaten e Partisë Demokratike për presidente, më vonë në Shtëpinë e Bardhë dhe ndau me të “planin e tij të fitores”.
“Populli ukrainas po mbron me guxim shtëpitë dhe atdheun e tyre, lirinë dhe demokracinë e tyre kundër një diktatori brutal”, tha Harris në Shtëpinë e Bardhë.
Ajo gjithashtu tha se thirrjet për Ukrainën që t’i japë territor Rusisë ishin “të rrezikshme dhe të papranueshme”. Ajo shtoi se sugjerimet e kandidatit republikan Donald Trump dhe kanditatit të tij për nënpresident, senatorit J.D. Vance, që Ukraina të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, nuk ishin propozime për paqe, por “propozime për dorëzim”.
Trump ka thënë se Ukraina duhet të kishte bërë lëshime ndaj Putinit në muajt para pushtimit të Rusisë. Në një tubim elektoral në Karolinën e Veriut më 25 shtator, ai tha: “Çdo marrëveshje – marrëveshja më e keqe – do të kishte qenë më e mirë se ajo që kemi tani”.
Më herët më 26 shtator, Biden njoftoi për paketën e ndihmës usharake në vlerë mbi 8 miliardë dollarë dhe përsëriti se Shtetet e Bashkuara do t’i “ofrojnë Ukrainës mbështetjen që i nevojitet për të fituar këtë luftë”.
“Përmes këtyre veprimeve, mesazhi im është i qartë: SHBA-ja do t’i japë Ukrainës mbështetjen që i duhet për ta fituar këtë luftë”, tha Biden përmes një deklarate.
Paketa përfshin për herë të parë një sistem, që është një bombë precize rrëshqitëse me rreze prej 130 kilometrash, e që lëshohet nga një avion luftarak. Po ashtu, në paketë përfshihen bateri shtesë të sistemeve Patriot dhe raketa AMRAAM.
Biden, që përfundon mandatin në janar, tha se trajnimi i pilotëve ukrainas për avionët F-16 do të zgjerohet, përfshirë trajnimi i 18 pilotëve shtesë vitin e ardhshëm.
Ai tha se Uashingtoni dhe partnerët e tij po ndërmarrin hapa për të penguar rrjetin e kriptovalutave që po përdoret nga Rusia për të shmangur sanksionet dhe për të shpërlarë para, por nuk elaboroi më shumë.
Biden po ashtu njoftoi se muajin e ardhshëm do të mbahet në Gjermani Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, që përbëhet nga më shumë se 50 shtete. Ai tha se mbledhja do të përqendrohet për të koordinuar më mirë përpjekjet për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.
Zelensky përmes një postimi në X e falënderoi Bidenin për paketën e re të ndihmës.
Zelensky po kërkon të sigurojë mbështetje për përpjekjet e tij të luftës para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, ku përballen Harris dhe ish-presidenti Donald Trump. Një takim midis Trump dhe presidentit ukrainas pritej të shtohej në agjendën e Zelenskit, por mbetet e paqartë nëse do të ndodhë.
Trump bëri deklarata provokuese për Ukrainën në një tubim elektoral më 25 shtator, duke thënë se ajo kishte marrë miliarda dollarë nga Uashingtoni, ndërsa në të njëjtën kohë refuzonte të “bënte një marrëveshje” për t’i dhënë fund luftës.
Shtetet e Bashkuara, mbështetësi kryesor i Ukrainës, dhe aleatët perëndimorë i kanë dhënë Kievit miliarda dollarë ndihmë ushtarake dhe ndihmë të tjera, ndërkohë që kanë vendosur disa runde sanksionesh ndaj Moskës.
Pak detaje janë të njohura rreth “planit të ashtuquajtur të fitores” të përgatitur nga Zelensky, i cili ka qenë në një mision intensiv diplomatik që kur mbërriti në SHBA për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së këtë javë.
Zelensky ka thënë se plani do të jetë një “urë” drejt përfundimit të konfliktit, ndërsa raportimer e mediave kanë thënë se ai do të kërkojë mbështetje të shtuar ushtarake dhe financiare nga SHBA-ja, garanci të sigurisë, si dhe sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë.
Personat afër Zelenskyt kanë thënë se garancia kryesore e sigurisë që Kievi po kërkon është anëtarësimi në NATO, një kërkesë e kahershme që është pritur me skepticizëm nga SHBA-ja dhe aleatët e saj.
Zelensky gjithashtu ka treguar se do të kërkojë përsëri leje për të përdorur raketa me rreze të gjatë për të goditur objektivat ushtarake thellë brenda Rusisë, me qëllim parandalimin e sulmeve ndaj qyteteve dhe infrastrukturës së Ukrainës, një hap për të cilin aleatët e Ukrainës janë të ndarë.
Shtëpia e Bardhë ka minimizuar shpresat e Ukrainës se vizita e Zelenskyt do të arrijë këtë qëllim.
“Nuk pres që të ketë ndonjë njoftim të ri për këtë veprim të veçantë apo një vendim që do të dalë nga ky takim”, u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.
SHBA-ja, mbështetësja kryesore e Ukrainës, dhe aleatët perëndimorë i kanë dhënë Kievit ndihma ushtarake në vlerë prej miliarda dollarësh dhe kanë vendosur një sërë rundesh të sanksioneve kundër Moskës, që kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 2022.