Zelensky e pranon se anëtarësimi në NATO ka “ngecur”
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të enjten se Kievi ka pasur shanse për tu bashkuar me NATO-n.
Por sipas tij, pavarësisht ambicieve të shtetit të tij, brenda aleancës ka pasur rezistencë për mosanëtarsimin e Ukrainës.
“Ne si vend do të donim të bashkoheshim me NATO-n”, tha ai për të përditshmen gjermane Bill.
“Por procesi ka ngecur. Janë disa arsye për këtë. Jo vetëm Rusia është kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO”, tha ai.
Zelensky tha se ka vende anëtarë të NATO-s, që mbështesin Moskën për pozicionin e saj kundër anëtarësimit të Ukrainës.
Ai nuk pranoi të përmendte vendet, duke shtuar se “nuk e kemi të lehtë me këto vende dhe nuk duam asnjë rrezik apo konflikt diplomatik”.
Zelensky tha se populli ukrainas duhet të jetë në gjendje të vendosë nëse do t’i bashkohet NATO-s, por se një referendum në këtë pikë do të kishte pak kuptim.
“Rruga për në NATO dhe BE është shumë e gjatë. Ukraina ka nevojë për disa garanci sigurie gjatë rrugës”, tha ai, duke kërkuar mbështetjen e vendeve anëtare të NATO-s.
“NATO është garancia për sigurinë, këtë duam të arrijmë. Kjo garanci për ne do të thotë se ne nuk do ta humbim pavarësinë”, tha ai.
Ukraina ka thënë prej kohësh se dëshiron t’i bashkohet aleancës ushtarake.
Kremlini këmbëngul se NATO nuk duhet ta pranojë kurrë Ukrainën dhe duhet të tërheqë forcat e saj pranë kufijve të Rusisë.
Por Perëndimi ka refuzuar atë që e quan ofertë nga Moska për të diktuar të ardhmen e partnerëve të pavarur dhe e kërcënoi Moskën me “kosto të rënda” nëse sulmon Ukrainën.