Zëdhënësja e Speciales: Nuk mund të ndalet puna e Gjykatës Speciale
Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep ka theksuar se asnjë veprim konkret nuk mund ta ndalë punën e Speciales.
Sipas amendamentit të Kushtetutës së Kosovës, në bazë të të cilit është formuar Gjykata Speciale për Krime të Luftës në Kosovë, mandati 5-vjeçar i këtij organi do të skadojë në gusht të këtij viti.
Derisa e njohësit e drejtësisë thonë se për ta vazhduar mandatin e gjykatës duhet të votojë Kuvendi i Kosovës, zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep, ka deklaruar se asnjë veprim konkret nuk mund ta ndalë punën e Speciales, shkruan zëri.
Në gusht të këtij viti përfundon mandati 5-vjeçar i Dhomave të Specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të njohura ndryshe si Gjykata Speciale.
Ato hetojnë krimet e luftës të kryera në Kosovë përgjatë viteve 1998 – 2000.
Por në Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjeve Ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian thuhet që mandati i kësaj gjykate do të përfundojë vetëm atëherë kur Këshilli i Bashkimit Evropian do t’i lajmërojë për këtë institucionet e Kosovës, gjë që është potencuar edhe nga zyrtarë të kësaj gjykate./FaktePlus