Zbutet Trumpi, për pak nuk i rrëshqet gjuha që ta pranojë humbjen: Çfarëdo që të ndodhë…
Presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i është afruar më shumë se kurrë pranimit të humbjes në zgjedhjet presidenciale, duke thënë se koha do ta tregojë këtë, por megjithatë ende nuk e pranoi zyrtarisht dorëzimin e pushtetit.
Në paraqitjen e parë publike që nga humbja, dukej se atij për pak nuk i rrëshqiti gjuha që ta pranonte humbjen pasi foli për mundësinë që administrata e Bidenit të vendoste masa mbarëkombëtare të izolimit për ta luftuar pandeminë.
“Në rastin më të mirë, ne nuk do të vendosim për izolim. Unë nuk do të shkojë për këtë, kjo administratë nuk do të vendosë për izolim. Shpresoj që…çfarëdo që të ndodhë në të ardhmen, kushedi cila administratë do të jetë”, tha ai.
“Supozoj se koha do të tregojë, por unë mund t’ju them se kjo administratë nuk do shkojë për izolim”, shtoi miliarderi amerikan.
Bideni u vlerësua si fitues i zgjedhjeve që nga e shtuna e kaluar, por Trumpi deri më tani ka refuzuar që ta pranojë rezultatin, duke lëshuar akuza e paraqitur ankesa ligjore të pabaza për manipulime.
Sidoqoftë, Departamenti për Sigurinë e Atdheut tha të enjten se këto kanë qenë zgjedhjet më të sigurta në historinë e Shteteve të Bashkuara dhe se nuk ka dëshmi që votat janë manipuluar.