Zbulohet se çfarë i tha Ancelotti Perezit në zhveshtore pas kualifikimit në finale
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti i tha Florentino Perezit: “Faleminderit që më ktheve këtu”, pas kualifikimit në finale mbrëmë në dhomat e zhveshjes.
Don Carlo ka rifituar statusin e tij si trajner i madh në Madrid, duke u bërë trajneri i parë që arrin pesë herë në finalen e Champions League. Ai fitoi La Ligën javën e kaluar, duke u bërë trajneri i parë që triumfon në pesë ligat më të mira evropiane.
Ai mund të arrijë edhe një moment historik në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit më 28 maj, duke u bërë trajneri i parë që ka fituar katër herë kompeticionin elitar të Evropës.
Ditët e tij në Everton dhe Napoli duken të largëta dhe “Carletto” falënderoi presidentin e Real Madridit, Florentino Perez pas ndeshjes së mbrëmshme kundër Manchester Cityt për kthimin e tij në Bernabeu verën e kaluar.
Sipas El Chiringuito, këtë i tha Ancelotti Florentino Perezit kur u takuan në dhomën e zhveshjes së Bernabeut mbrëmë.
Ancelotti u përpoq t’i frenonte lotët, siç kishte bërë në fushë pak minuta më parë , ndërsa përqafonte djalin dhe ndihmësin e tij Davide.
Ancelotti ka fituar një vend të veçantë në zemrën e tifozëve dhe lojtarëve të Real Madridit pas arritjeve të këtij sezoni.