Zbulohet fabrika ilegale e përpunimit të mishit në Prizren
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ia ka vënë drynin një fabrike që përpunonte ilegalisht produkte shtazore në komunën e Prizrenit.
Fakte Plus ka mësuar se gjatë kontrollit, me kërkesë të Policisë së krimeve ekonomike inspektorët kanë hasur në sasi të konsiderueshme të mishit dhe nënprodukteve të mishit pa dokumentacion dhe të prodhuar në objekt të pa licencuar.
Zëdhënësi i AUV-së, Lamir Thaçi ka konfirmuar se bëhet fjalë për 1499 kg sasi mishi e nënproduktesh të mishit të prodhuara ilegalisht.
Sipas Thaçit, sasia është bllokuar me bllombë deri në asgjësim.
“Organet mbikëqyrëse ligj-zbatuese kudo që hasin në produkte të pasigurta për konsum do të veprojnë sipas mandatit ligjor”, ka thënë Thaçi.
Ndërkaq, merret vesh se fabrika në të cilën prodhohej ilegalisht është mbyllur./FaktePlus/.