Zbatimi i MSA-së, 25 milionë euro të hyra më shumë nga eksporti
Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA), që nga koha kur hyri në fuqi (1 prill 2016), ka ndikuar të ketë rritje në mbledhjen e të hyrave për Republikën e Kosovës.
Ani pse në fillim të zbatimit të kësaj marrëveshje janë vërejtur rënie të të hyrave, në këtë vit është rritur vlera e të hyrave edhe në import edhe në eksport, shkruan FaktePlus.
Sipas statistikave të Doganës së Kosovës, në periudhën janar-gusht të këtij viti vlera e importit është rritur për 508 milionë euro apo 30% më shumë se sa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar që ishte 393 milionë euro.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë për FaktePlus se me rritjen e të hyrave në import u është mundësuar konsumatorëve qasje në mallra më kualitative në çmime konkurruese.
“Fillimisht me implementimin e MSA-së, kemi vërejtur një rënie të të hyrave, por gjithsesi se me kalimin e kohës kjo është stabilizuar dhe tani është rritur shkëmbimi tregtar me Bashkimin Evropian. Sipas tabelës shihet se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishim vlerë importi rreth 393 milionë euro, kjo gjatë këtij viti është rritur në 508 milionë euro apo rreth 30% më shumë e që kjo si rezultat ka rritur edhe të hyrat si dhe u ka mundësuar konsumatorëve qasje në mallra më kualitative në çmime konkurruese”, ka thënë ai.
Stavileci, thotë se përpos që ka pasur rritje të të hyrave nga importi, ndikime pozitive ka pasur edhe në eksport.
Madje, ai tregon edhe vendet në Evropë se në cilat ka pasur më shumë rritje të eksporteve.
“Sa i përket eksporteve kemi rritje të eksporteve në përgjithësi rreth 25 milionë më shumë se në vitin e kaluar, derisa në shtetet e Bashkimit Evropian rritja e eksporteve është në Gjermani me rreth 30% më shumë si dhe një rritje e eksporteve me Italinë mbi 100%”, ka deklaruar Stvileci për FaktePlus.
Sipas tij, në përgjithësi të gjitha shkëmbimet tregtare me Bashkimin Evropian janë rritur që nga implementimi i MSA-së dhe mund të konkludohet se kjo marrëveshje ka ndikuar pozitivisht në aspektin tregtar.
Ndërsa, duke e ditur faktin që institucionet e Kosovës janë të obliguara që për çdo vit të përmbushin Planin Kombëtar për zbatimin e MSA-së, dhe se për këtë përgjegjëse është Ministria e Integrimit Evropian, Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka kërkuar përgjigje edhe nga ky dikaster për të parë se sa përqind e masave janë përmbushur në këtë vit, por se nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Lidhur me zbatimin e MSA-së, nga Zyra e BE-së, në Kosovë kanë thënë se në shumë sfera implementimi i kësaj marrëveshje ka mbetur prapa.
“Kosova ende nuk i ka kryer obligimet e MSA-së, sa i përket ndihmës shtetërore, veçanërisht në paraqitjen dhe radhitjen e skemave të përgatitura nga afati i përcaktuar kontraktual. Për më tepër, një numër i masave ndihmëse, të siguruara në nivelin qendror ose lokal, këtu përmendet Posta dhe Telekomi, e cila duhet të hetohet siç duhet. Kosova ka garantuar që brenda pesë vjetëve të hyrjes në fuqi të MSA-së, do të mbrojë të drejtat intelektuale, industriale dhe komerciale, ashtu siç respektohen në Bashkimin Evropian. Përgatitjet për të respektuar këtë afat kanë mbetur prapa dhe Kosova rrezikon që këto kushte të mos i përmbushë me kohë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së.
Aty thuhet se, një numër i vendimeve që ka marrë Qeveria, janë në kundërshtim me MSA-në.
Programi Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si një dokument kryesor nacional i politikave për aderim në BE, është ai që vendos një kornizë gjithëpërfshirëse afatmesme të të gjitha reformave të nevojshme për përmbushjen e detyrimeve që dalin nga MSA-ja.
Bazuar në këtë program, shkalla e zbatimit të detyrave dhe obligimeve gjatë vitit 2018, ishte 68.23 për qind, pasi që 363 nga 532 masa të planifikuara janë zbatuar, ndërsa pjesa tjetër prej 169 masave, apo 31.77 për qind e tyre, nuk kanë arritur të zbatohen.
Në tre mujorin e parë të këtij viti, Programit kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit tregon se 30 për qind e masave janë zbatuar plotësisht, ndërsa 70 për qind nuk janë zbatuar dhe përballen me vonesa serioze./FaktePlus