Zbarkimi më i madh që nga Lufta e Ftohtë: Britania do të dërgojë 8 mijë trupa në Evropën Lindore
Rreth 8 mijë trupa britanikë pritet të marrin pjesë në ushtrimet në Evropën lindore si përgjigje ndaj agresionit rus që do jetë një nga manovrat më të mëdha që nga Lufta e Ftohtë, shkruan The Guardian.
Dhjetëra tanke do të vendosen në vendet duke filluar nga Finlanda deri në Maqedoninë e Veriut këtë verë, ku së bashku me to do të jenë mijëra trupa të NATO-s dhe aleancës Forca e Përbashkët e Ekspeditës, ku do të përfshihen Finlanda dhe Suedia.
Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe tha se aksioni ka qenë i planifikuar kohë më parë dhe tani është zgjeruar si përgjigje ndaj pushtimit rus të Ukrainës.
Sekretari i Mbrojtjes, Ben Wallace, ka thënë se: “Siguria e Evropës kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme. Këto ushtrime do të mundësojnë që trupat tonë do t’i bashkohen aleatëve dhe partnerëve rreth NATO-s dhe Forcës së Përbashkët Ekspansioniste në shfaqje të solidaritetit dhe fuqisë në një nga dislokimet më të mëdha të përbashkëta që nga Lufta e Ftohtë”.
Njoftimi që Britania e Madhe do të kryejë ushtrimet në shkallë të gjerë në Evropë erdhi pasi që Vladimir Putin kërcënoi me sulme ndaj caqeve perëndimore, duke paralajmëruar për një përgjigje me shpejtësi të dritës ndaj vendeve që ndërhyjnë në Ukrainë.
Operacioni i quajtur “Ushtrimi Hedgehog” do të fillojë në maj dhe do të përfshijë ushtrimet e trupave britanike në kufijtë Estoni-Lituani së bashku me 18.000 trupat e NATO-s, duke përfshirë forcat franceze dhe daneze.