Zakonet për ta mbajtur armën në shtëpi: Pak aplikime për legalizim
Kanë kaluar 9 muaj që nga lansimi i fushatës së Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) për legalizimin e armëve të vogla dhe të lehta, të cilat i posedojnë pa leje qytetarët e Kosovës. Mirëpo, duket se zakonet për ta mbajtur armën në shtëpi dhe faktorë tjerë kanë ndikuar që vetëm rreth 1700 persona të aplikojnë për legalizimin e armëve.
MPB në dhjetor të vitit 2018 kishte nisur fushatën gjashtëmujore e që më vonë u vazhdua edhe për tre muaj të tjerë. E zgjatje tjera të afatit për legalizimin e armëve nuk do të ketë më, pasi nga MPB-ja thotë se nuk lejon ligji.
Duhet theksuar se koha e legalizimit është e hapur edhe për pesë ditë dhe pas kësaj periudhe armët e paligjshme do të konfiskohen, kurse me ligjin e ri për posedim ilegal të armëve mund të dënoheni me gjobë deri në 7.500 euro, ose me burgim deri në 10 vjet.
E kur kanë mbetur edhe pesë ditë deri në fund të kësaj fushate, sipas zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, për legalizim të armëve kanë aplikuar mbi 1700 persona.
Në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, Zeka e ka pranuar se ky numër i aplikimeve është i vogël krahasuar me numrin e madh të armëve ilegale që kanë në duar qytetarët.
“Janë mbi 1 mijë e 700 aplikacione të cilat kanë ardhur në Ministrinë e Punëve të Brendshme për legalizim të armëve. Krahasuar me numrin e armëve pa leje është një numër i vogël i aplikimeve, por që nëse e bëjmë edhe një krahasim tjetër me vendet e rajonit ne qëndrojmë mirë. Për shembull Serbia gjatë fushatës së saj për legalizim të armëve ka marrë vetëm një numër të vogël për legalizim krahasuar me armët pa leje, e cila kalon numrin milionësh, njëjtë janë edhe Maqedonia apo Mali i Zi”, ka thënë Zeka.
Zëvendësministri Zeka, tutje ka pohuar se MPB u ka ofruar mundësinë qytetarëve të saj për legalizim të armëve, ndërsa thekson se janë një numër i madh faktorësh të cilët kanë bërë që numri aplikimeve për legalizim të jetë i vogël.
Sipas tij, tradita dhe zakonet, mendja për luftë, çështjet e patriotizmit, janë disa nga arsyet pse kosovarët nuk kanë aplikuar sa duhet për legalizim të armëve.
“Ne si MPB u kemi ofruar qytetarëve të Republikës së Kosovës mundësinë për legalizimin e armëve, nuk ka qenë periudhë e vogël, por që këtë numër e kemi. Si faktor për aplikimin e vogël për legalizim, ndoshta janë ende zakonet shqiptare që të mbahet arma në shtëpi, por ende ka njerëz që mendojnë edhe për ndonjë luftë dhe t’i përdorin armët”, ka thënë Zeka.
Ndërkaq duhet theksuar se koha e legalizimit është e hapur edhe për pesë ditë dhe pas kësaj periudhe armët e paligjshme do të konfiskohen, kurse me ligjin e ri për posedim ilegal të armëve mund të dënoheni me gjobë deri në 7.500 euro, ose me burgim deri në 10 vjet.
Procedura për legalizim të armës përbën kohën brenda një periudhe prej 30 ditësh, qytetarit i jepet pëlqimi për armëmbajtje në shtëpi. Ndërsa ai ose ajo obligohet që brenda një viti të kryejë trajnimin për përdorim të sigurt dhe mirëmbajtje të armës.
Pas ofrimit të dëshmive mbi gjendjen ligjore dhe të drejtën e veprimit ligjor, aplikuesi pajiset me leje për posedim të armës – me arsyetim të përdorimit për rekreacion, shenjëtari ose gjueti, varësisht nga lloji i armës.
Kostoja totale për legalizim, përfshirë kontrollet shëndetësore, vërtetimet, trajnimin dhe lejen, sipas Mustafës, arrin vlerën e rreth 300 eurove.
Bazuar në të dhënat e MPB-së, numri i armëve ilegale në posedim të qytetarëve llogaritet të jetë rreth 250 mijë sosh./FaktePlus