Zaimi ia kthen Abrashit: Kufiri me Shqipërinë mund të hapet sot, LDK s’mund të na japë ligjërata patriotizmi
Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi, iu ka kundërpërgjigjur Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashit, rreth hapjes së kufirit me Shqipërinë.
Abrashi në rrjetin social Facebook deklaroi se është e pakuptimtë që Kosova të mos e hapë kufirin për Shqipërinë kur kjo e fundit ka vendosur që kufirin me Kosovën do e hapë nesër (1 qershor).
Mes tjerash Abrashi tha se çuditërisht avokuesit e bashkimit kombëtar janë largu me Shqipërinë dhe janë afruar me fqinjët tjerë.
“Meqë Shqipëria ka vendosur ta hapë kufirin për Kosovën prej të hënës (neser), është e pakuptimtë që Kosova të mos e hapë kufirin për Shqipërinë. Për bashkëpunim ndërshtetëror dhe kombëtar, duhen veprime konkrete e jo propagandë populliste. Çuditërisht, avokuesit e bashkimit kombëtar janë largu me Shqiperinë, e janë afru me fqinjët tjerë!” shkroi Abrashi.
Klan Kosova ka kontaktuar me Arbër Zaimin, i cili deklaroi se LDK s’mund të ju jap ligjërata patriotizmi.
Zaimi tregoi se sot pritet që Ministria e Shëndetësisë të jap një vendim për shfuqizimin e ndalimit të udhëtimeve për në Shqipëri.
“Sot pritet të procedohet nga Ministria e Shëndetësisë një vendim për shfuqizimin e disa kufizimeve, midis tyre dhe ajo për udhëtimet në Shqipëri”.
“Deklaratën e Arban Abrashit nuk e kam parë, dhe uroj të mos jetë shprehur kështu. Vendimet për vendosjen e masave kufizuese apo për lehtësimin dhe heqjen e tyre, nuk janë politike por janë te udhëhequra nga parimet e shkencës mjekësore dhe epidemiologeve të IKShPK-së” deklaroi Zaimi.
Zaimi deklaroi se kufijtë mes Kosovës e Shqipërisë do të hapen por personat që bëjnë deklarata të tilla e kanë hallin se si ta mbulojnë reciprocitetin ekonomik e tregtar të vendosur me Serbinë.
“Fatmirësisht kufijtë mes Kosovës e Shqipërisë do të hapen, por fatkeqësisht ata që bëjnë deklarata të tilla e kanë hallin se si të mbulojnë reciprocitetin ekonomik e tregtar të vendosur në raport me Serbinë”.
“Nuk mund të japin ligjerata patriotizmi subjektet të cilët e rrëzuan Qeverinë veç për shkak se nuk pranoi asnjëherë ta hiqte taksen para se të vendoste reciprocitetin me Serbinë”, deklaroi Zaimi