Zaev optimist në gjetjen e një kandidati të përbashkët për president
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, njëherësh kryetar i Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev tha se do të vazhdojë bisedimet me partnerët e koalicionit për gjetjen e një kandidati të përbashkët për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Lideri i BDI-së Ali Ahmeti dhe ai i LSDM-së Zoran Zaev sot kanë filluar takimet me qëllim gjetjen e një kandidati të përbashkët konsensual nga ana e mazhorancës.
“Besoj se kjo është e mundshme. Nëse e bëjmë këtë, edhe njëherë e konfirmojmë idenë ‘një shoqëri për të gjithë’ dhe i dërgojmë mesazh të qartë qytetarëve se qëndrojmë prapa personit, për të cilin paraprakisht pajtohemi se do të ishte një president i shkëlqyeshëm i Maqedonisë së Veriut” tha Zaev pas takimit me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Zaev tha se planifikon edhe takime tjera me partitë shqiptare që janë pjesë e koalicionit.
Më parë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka deklaruar se ai e ka zgjatur dorën për bashkëpunim me opozitën shqiptare për kandidat të përbashkët shqiptar, por për fat të keq, dy partitë opozitare e kanë refuzuar.
Ahmeti thekson se ka vullnet që të arrihet marrëveshje për kandidat konsensual për president në takimin e sotëm me partnerët e koalicionit, por kjo varet nga të dyja palët.
Ndërsa VMRO-DPMNE-ja në kongresin partiak, që u mbajt të shtunën në Strugë e zgjodhi profesoreshën e Fakultetit Juridik në Shkup, Gordana Siljanovska Davkova për kandidat të tyre presidencial.
Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut mbahen më 21 prill.