Zaev: Kosova, ndër partneret më të rëndësishme të Maqedonisë
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka vlerësuar lartë atë që është folur e nënshkruar sot mes dy qeverive.
Të enjten në Shkup, u mbajt mbledhja e parë e përbashkët e qeverive të Maqedonisë dhe Kosovës, me ç’rast u nënshkruan 11 marrëveshje e memorandume.
“Edhe pse seancë e zhvilluar në kushte pandemie, është shprehje e qartë e vullnetit dhe fqinjësisë së mirë. Në këtë seancë të përbashkët, në plan të parë i kemi vendosur marrëveshjet dhe memorandumet që të lehtësojmë zhvillimin e ekonomik të dy vendeve. Për Maqedoninë, Kosova është një ndër partnerët më të rëndësishëm. Vjet kishim 357 milionë dollarë qarkullim, e sivjet presim të kalojë 400-milionëshin”, tha Zaev.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut tha se vendi i tij përkrah dialogun me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja si dhe mbështetet të drejtën e kosovarëve për liberalizim vizash.
“Do të ndajmë gjithë përvojën tonë me këtë”, tha ai.