Ymyti për liberalizim të vizave për Kosovën sivjet te Kroacia e Gjermania (VIDEO)
Vit pas viti, e presidencë pas presidence, kosovarët vazhdojnë kot të presin liberalizimin e vizave, i cili u ishte premtuar për më shumë se një dekadë.
Madje, një premtim i tillë u ishte dhënë kosovarëve edhe në fund të vitit 2019 nga kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj.
Por edhe ky fillim vit po sjell pak shpresë se liberalizimi mund të ndodhë shpejt, edhe pse kryesimin e radhës së Bashkimit Evropian e ka një shtet mik, siç është Kroacia, kurse më vonë po këtë vit kryesimin do ta ketë Gjermania, shkruan FaktePlus.
Por, se a ka gjasa që të ndodhë liberalizimi gjatë kësaj kohe?
Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Afrim Hoti, thotë për FaktePlus se është i bindur se nën udhëheqjen e Kroacisë, shteti i Kosovës do të jetë në maje të agjendës dhe do të zë vend dhe pozitë të merituar.
“Mendoj, se është lajm i mirë definitivisht në fillim të këtij viti 2020 që Kroacia do të udhëheq me Këshillin dhe unë jam shumë i bindur që në maje të agjendës ose ne ecjen e saj përpara në udhëheqjen e Bashkimit Evropian, Kosova do të zë vend dhe pozitë të merituar”, ka thënë Hoti.
Sipas tij, çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës ka marrë ngjyrime politike.
“Pavarësisht nëse Kroacia ose Gjermania udhëheq me Këshillin mendoj që këto probleme do të mbeten edhe më tutje në horizont, ndërkohë që shpresoj që bashkë me vendet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën do të gjejnë një modus për t’u dhënë mundësinë qytetarëve të Kosovës që të lëvizin lirshëm pa prejudikime politike. Kjo nënkupton që vende të caktuar në Bashkimin Evropian do të vazhdojnë të mbajnë pozicionin e tyre neutral, por të paktën mos t’i ndëshkojnë ose të mos t’i dënojnë qytetarët e Kosovës si të vetmit shtetas që nuk e kanë të drejtën dhe lirinë e lëvizjes në Bashkimin Evropian”, ka thënë Hoti, për FaktePlus.
Ndërsa, i pyetur rreth asaj se a pret që qytetarët e Kosovës të lëvizin këtë vit pa viza, Hoti ka deklaruar se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara dhe se tashmë çka do që thuhet është spekulative.
Kurse, drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Politika Evropiane “Epik”, Demush Shasha, ka thënë për FaktePlus se Këshilli i BE-së, do të mblidhet katër herë këtë vit, duke shtuar se në dy takimet e para nuk ka indikacione se Kosova do të jetë pjesë e agjendës.
“Takimi i parë joformal është më 23 janar 2020, ndërsa takimi i parë formal është më 12 mars 2020. Në asnjërin nga këto takime deri më sot nuk ka indikacione se liberalizimi vizave për Kosovën do jetë pjesë e agjendës. Si do qoftë, gjatë vitit 2020, Presidencën e BE-së do e kanë dy vende mike të Kosovës: Kroacia dhe Gjermania Prandaj, ekziston mundësia që çështja e liberalizimi të vizave të përkrahet nga dy presidencat respektive. Por, Kosova ndërkohë duhet të përfundoj detyrat e shtëpisë”, ka thënë Shasha, për FaktePlus.
Sipas tij, ka shumë arsye që qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të jenë të izoluar, duke përmendur kwtu mungesën e vullnetit politik për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sfidat në sundimin e ligjit, ngecjet në dialog etj.
E vendim të duhur për qytetarët e Kosovës për liberalizim të vizave me marrjen e kryesimit të Këshillit të Bashkimit Evropian, nga Kroacia pret edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.
“Si Kosovë presim që edhe më zëshëm të kërkohet të përmirësohet padrejtësia që po na bëhet, duke mos marrë vendimin e merituar për heqjen e regjimit të vizave”, ka thënë presidenti Thaçi.
Për tri vjet rresht, liberalizimi i vizave për Kosovën ishte kushtëzuar nga BE-ja me ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Por, edhe pse Kuvendi i Kosovës, ndonëse me tri vjet vonesë arrti ta ratifikonte demarkacionin, BE-ja më pas nuk arriti konsensusin e brendshëm për t’ua hequr vizat qytetarëve të Kosovës./FaktePlus