Ymeri: Do të ishte e udhës që Serbia t’i hiqte pengesat e para
Anëtari i PSD-së, Visar Ymeri ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë Hoti, për heqjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.
Ymeri, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se do të ishte e udhës që Serbia të hiqte e para pengesat për vazhdimin e dialogut.
Sipas tij, është vështirë t’i besohet Serbisë që edhe ajo do t’i heq pengesat ndaj Kosovës.
“Kryeministri Hoti, pas anulimit të vendimit për masa reciproke në tregti, paska deklaruar se presin që edhe Serbia të heq pengesat ndaj dialogut. Do të kishte qenë më e udhës t’i hiqte Serbia e para, meqë më historikun e gjatë të negociatave me të, është pikërisht ajo që nuk ka zbatuar shumë prej marrëveshjeve të nënshkruara e të dakorduara. Shi për shkak të këtij historiku është Serbia ajo së cilës është vështirë t’i besohet”, ka shkruar Ymeri.
Sipas tij, vullneti i të dyja palëve do të ishte parakusht i një dialogu të suksesshëm.
“Ose të themi që Qeveria e Kosovës paska dashur të shpërfaqë vullnet të mirë karshi ShBA dhe dialogut. Po atëherë pse nuk kanë insistuar që kjo të bëhet të paktën në të njëjtën ditë? Kështu të dyja palët do të tregonin vullnet të mirë. Vullneti i mirë nga të dyja palët është parakusht i një dialogu të suksesshëm. Nuk mjafton vetëm njëra palë. Uljen në tavolinë duhet ta bëjmë si të barabartë, në mënyrë që dialogun ta bëjmë si të barabartë”, ka thënë Ymeri.
Sot në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Avdullah Hoti ka shfuqizuar të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me reciprocitetin ndaj Serbisë.