Xhambazi nuk pret marrëveshje finale nga takimi i Washingtonit, thotë se Serbia fillimisht duhet të kërkojë falje
Visar Xhambazi nga Instituti D4D, ka folur rreth pritshmërive të takimit të paraparë më 27 qershor mes Kosovës e Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Xhambazi ka thënë se në këtë takim diskutimi, mund të bëhen modalitetet e para se si do të procesohet më tutje në çështjen mes palës kosovare dhe asaj serbe.
”Do të bëhen modalitetet e para se si do të vazhdohet më tutje”.
Megjithatë ai në Klan Kosova mohon se nga ky takim mund të jetë rezultat marrëveshja përfundimtare.
”Por, arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk mund të ndodhë brenda disa javëve të ardhshme. Sepse në mënyrë që kjo të jetë e qëndrueshme atëherë duhet të përfshihen të gjitha çështjet e hapura me Serbinë”.
”Po flasim për një Serbi lëre më që nuk kërkon falje por as nuk ka ofruar keqardhjen më të vogël për të gjitha krimet dhe dëmet e luftës gjatë vitit 1999 në Kosovë dhe më tutje”.
”Të gjitha këto çështje të hapura, nuk mund të zgjidhen brenda javëve në vijim. Mendoj që marrëveshje do-sido mund të ketë”.
Ai thotë se fillimisht Serbia duhet të kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë për tu ulur në tryezën e arritjes së marrëveshjes.
”Kërkim falja nuk është që i zgjidh të gjitha problemet por është një pikë startuese”.
”Janë fillesa të një mirëbesimi të cilat çojnë në një marrëveshje përfundimtare”.
”Në fakt edhe në aspektet personale, në momentet që një person tjetër ka bërë diçka gabim – nënkuptohet që ai që është gabim të kërkoj falje”.