WhatsApp kufizon numrin e mesazheve për t’i luftuar lajmet e rreme
Aplikacioni i njohur për shkëmbimin e mesazheve falas, WhatsApp, ka vendosur të caktojë kufizime të reja për përdoruesit kur bëhet fjalë për dërgimin e mesazheve të njëjta te përdoruesit e ndryshëm në pesë herë si përpjekje për ta luftuar shpërndarjen e të dhënave të rreme.
Apikacioni që është në pronësinë e Facebookut e kishte filluar zbatimin e kësaj praktike në Indi para gjashtë muajve. Vendimi ka ardhur pas ankesave se ky aplikacion po përdoret për shpërndarjen e lajmeve të rreme nga personat e pandërgjegjshëm. Deri tash, përdoruesit kanë mundur ta dërgojnë mesazhin e njëjtë deri në 20 herë.
Ndryshimi është bërë publik gjatë një organizimi në Xhakarta të Indonezisë, një vend ku do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme në muajin prill. Kompania ka thënë se këtë vendim e ka marrë pas analizimit të hollësishëm të rezultateve të marra nga zbatimi i këtij rregulli për gjashtë muaj në Indi.
“Kufizimi i numrit të mesazheve të shpërndara do ta mbajë aplikacionin të fokusuar në mesazhe private me kontakte të ngushta. Ne do të vazhdojmë t’i dëgjojmë vlerësimet e përdoruesve për përvojat e tyre dhe të gjejme zgjidhje të duhura”, ka thënë një zëdhënëse e kompanisë, shkruan “BBC”,