VV publikon video të shkeljeve me tenderë në Podujevë
Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë, në një konferencë për medie, ka shfaqur një video-incizim me të cilën zyrtarët e VV-së e kanë quajtur si shkelje flagrante nga ana e zyrtarëve komunalë për mënyrën e dhënies së tenderëve.
Sekretari i VV-së në këtë qendër, Bahri Selimi, ka deklaruar se protagonistë në këtë video janë menaxheri i departamentit të prokurimit, Rasim Fejza dhe pronari i “El Shpëtimi”, firmë kjo pjesëmarrëse në aktivitetin e prokurimit “Furnizimi me materiale higjienike për mirëmbajtjen e objektit të komunës”.
Në këtë konferencë, Selimi ka thënë se Rasim Fejza e kishte marrë bekimin nga Agim Veliu për t’ia punësuar vajzën, firmës të cilës i bëhej presion për t’u tërhequr.
Konferencë për media.
Julkaissut Lëvizja Vetëvendosje – Qendra Besianë Keskiviikkona 11. maaliskuuta 2020
Sipas tij, presioni mbi të është bërë që të tërhiqet për ta fituar operatori tjetër “Rita”.
“Kjo video paraqet qartë mënyrën e veprimit të zyrës së prokurimit në Podujevë. Fejza në këto veprime bënë shkelje flagrante të rregullave të etikës dhe ligjit të prokurimit publik, duke bërë presion tek operatori ekonomik që të tërhiqet nga procesi i tenderimit, me kusht që tenderin ta marrë një person i preferuar i Rasim Fejzës edhe pse çmimi është më i lartë për më shumë se 6 mijë euro. Si kundërshpërblim, Fejza pronarit të operatorit ekonomik i premton punësimin e vajzës. Në këtë rast, Rasim Fejza thotë se e ka marrë bekimin e shefit të tij, kështu që bazuar në rregulloren, shefi i tij i bie që është kryetari i Komunës”, ka thënë Selimi.
Më tej ai ka shtuar se kjo shkelje ka ndodhur në vitin 2018, duke shtuar se video-incizimi VV e ka siguruar së voni dhe se e njëjta s’ka të bëjë me fushatën për zgjedhjet e 15 marsit.