VV në disponim për koalicion me LDK-në, por LDK nuk jep fare shenja
Me dorëheqjen e parevokueshme të Ramush Haradinajt nga posti i Kryeministrit, në opinion kanë filluar të diskutohen mundësitë për koalicion mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, si dy parti më të mëdha opozitare në Kuvendin e Kosovës.
Megjithatë, as LDK por as VV deri më tani nuk ka vendosur për një koalicion të mundshëm parazgjedhor.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Arben Gashi tha se në ditët në vijim, Këshilli i Përgjithshëm i partisë do të vendos për çështjen e koalicionit.
“Për këtë vendos Këshilli i LDK-së. Është ende herët të flitet për koalicione”, tha Gashi.
Në anën tjetër deputeti nga radhët e VV-së Ismajl Kurteshi, pohon se ka disponim për koalicion me partinë e Isa Mustafës, LDK-në mirëpo sipas tij për këtë pritet të vendoset në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, i cili pritet të mbahet brenda pak ditësh.
“Ende nuk është caktuar se me cilën parti të bëhet koalicion, për këtë vendis Këshilli i Përgjithshëm i partisë dhe jo një individ. Në mbledhjen e Këshillit do të trajtohen të gjitha çështjet e nevojshme dhe aty do të vendoset për koalicion, megjithëse ka disponim që të bëhet koalicion me LDK-në, por asesi me partitë që deri tani kanë qenë në qeveri”, ka thënë Kurteshi.
Ndryshe, zgjedhjet të parakohshme, po i shohin si rrugë të vetme për të tejkaluar këtë situatë edhe dy partneret e koalicionit qeverisës, Kadri Veseli nga PDK dhe Fatmir Limaj nga NISMA.
Aktualisht, e gjithë situata është në dorë të Presidentit Hashim Thaçi, i cili pritet t’i therras në takim lideret e partive politike në vend për të negociuar lidhur me datën e zgjedhjeve.
“Thaçi do të mundohet që të formojë qeverinë e re, pa pasur nevojë fare të shkojë në zgjedhje. Nëse ky plan i dështon, ai nuk e ka përjashtuar edhe mundësinë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që të blejë kohë”, thonë burime të Gazetës Blic.
Ndërkohë, derisa AAK, VV, LDK, PSD e Nisma po kërkojnë zgjedhje të reja, ai deri më tani nuk e ka dhënë asnjë deklaratë.
Krejt çka ka deklaruar Hashim Thaçi, që nga dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj, është në lidhje me ftesat e Gjykatës Speciale.
Ai ka thënë se së fundi janë ftuar disa ish- drejtues të lartë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
“Me keqardhje mësova që Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim ish-shefin e Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, njëherësh këshilltar i imi, ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe disa ish-eprorë të tjerë të UÇK-së. Nga mediat tani u informova edhe për
vendimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e tij”, ka shkruar ai Thaçi.