VV: Nato nuk intervenoi për ta çliruar Kosovën por për ta shtrënguar Serbinë
VV: Për çfarë ka intervenuar NATO në Kosovë?!
Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin, tashmë Kryeministë në detyrë kanë publikuar një shkrim duke thënë “Për çfarë ka intervenuar NATO në Kosovë?!”
Tutje në këtë shkrim thuhet se Intervenimi i NATO-s nuk është bërë për ta çliruar Kosovën, por për ta shtrënguar palën serbe ta pranoj planin e paqes, e ai plan jo vetëm se ka garantuar që NATO-ja të ketë qarkullim të lirë nëpër tërë RFJ-në, por ka garantuar edhe mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit territorial të Jugosllavisë (qëllimi ka qenë që të ruhet paqja dhe stabiliteti ndërkombëtar) dhe këtë më së miri e dëshmon dokumenti i 3 qershorit të vitit 1999.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë:
Në asnjërën rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të miratuar për Kosovën nuk është autorizuar përdorimi i forcës nga ndonjë entitet i jashtëm, përveç se u është bërë thirrje palëve në konflikt që të ndalin dhunën. Bile-bile, në të gjitha këto rezoluta është riafirmuar sovraniteti dhe integriteti territorial i RFJ-së. Pra, nuk ka pasur autorizim të OKB-së për bombardimet e NATO-s, edhe pse disa konsiderojnë se me aprovimin e Rezolutës 1244 realisht miratohen bombardimet e NATO-s, por ky nuk është autorizim ab initio. Në fund të fundit, nuk është edhe aq e rëndësishme se a ka qenë ky intervenim legal, sa e rëndësishme është të zbërthehet se për çfarë në të vërtetë është bërë ky intervenim?! Është çliruar Kosova me intervenimin e NATO-s apo është ruajtur integriteti dhe sovraniteti territorial i Jugosllavisë?!
Shumë ekspertë, posaçërisht ata të së drejtës ndërkombëtare, në esetë e tyre, të botuara kryesisht në American Journal of International Law, konsiderojnë se aksioni i NATO-s ishte disenjuar për të shtrënguar Qeverinë Jugosllave që të pranoj planin e paqes për Kosovën dhe për më tepër, këtë e thotë edhe gjenerali Wesley K. Clark në librin e tij “Të bësh luftë moderne”(faqe 469). Madje-madje, vetë gjenerali Wesley K. Clark e pranon se sikur të kishin filluar që në fillim përgatitjet për intervenim tokësor do të shpëtoheshin shumë njerëz të pafajshëm: “Jam i bindur që planet dhe përgatitjet për intervenim tokësor e kanë bindur Millosheviqin që të dorëzohet”(“Të bësh luftë moderne”, faqe 471)
Pra, vërehet se NATO nuk ka qenë edhe aq e shqetësuar për të zmbrapsur sulmin e armatosur të forcave serbe mbi popullatën civile shqiptare. Edhe këtë e dëshmon vetë deklarata e gjeneralit Wesley K. Clark, komandant suprem i NATO-s gjatë bombardimeve në Kosovë, i cili thotë se ashpërsimi i dhunës dhe mizorive të forcave serbe pas fillimit të bombardimeve të NATO-s ka qenë krejt i parashikueshëm. Andaj, Noam Chomsky ka të drejtë kur thotë se në rast të paraqitjes së krizës humanitare, bota e jashtme ka tri mundësi: të veprojë për ta rënduar katastrofën; të mos veprojë fare; dhe të veprojë për ta zbutur katastrofën; Kosova i takon kategorisë së parë për arsye se: deportimi i afërsisht një milion njerëzve ka ndodhur pas fillimit të intervenimit të NATO-s dhe se pjesa dërrmuese e vrasjeve kundër civilëve ka ndodhur po ashtu pas fillimit të intervenimit të NATO-s.
Pasiqë bashkësia ndërkombëtare ka qenë shumë e preokupuar me fatin e qytetarëve të Kosovës dhe pasiqë qëllimet e saj kanë qenë qëllime humanitare, atëherë pse ajo ka vendosur që para fillimit të intervenimit të NATO-s t’i lë qytetarët e Kosovës nën mëshirën e regjimit të Millosheviqit duke e larguar KVM-në nga Kosova?!… Një shkrimtar serb, Vladimir Arsenijevic, në ditarin e tij për luftën, “Mexico – Ditari i luftës”, thotë: “Është fakt i pamohueshëm që NATO e ka mbështetur drejtpërdrejt Sllobodan Millosheviqin duke ndihmuar që ta ndërmarrë këtë valë të fundit të mizorive gjithandej në Kosovë, si dhe ta forcoj kontrollin e tij në gjithë Jugosllavinë. Përderisa NATO zhvillon luftën e vet komode nga ajri, civilët shqiptarë janë lënë në mëshirën e forcave ushtarake dhe paramilitare serbe atje poshtë në terren” (faqe 121).
Nëse intervenimi i NATO-s është bërë kundër pastrimit etnik, siç edhe thotë Tzvetan Todorov, atëherë rezultati final, përkundrazi, ka qenë ai i forcimit të pastrimit etnik. Jo vetëm pse pas fillimit të bombardimeve të NATO-s janë deportuar afërsisht një milion shqiptarë, por edhe për faktin se pas përfundimit të këtyre bombardimeve dhe vendosjes së trupave të NATO-s është krijuar një Kosovë pothuajse etnikisht homogjene nga ku janë përjashtuar minoritarët.
Intervenimi i NATO-s nuk është bërë për ta çliruar Kosovën, por për ta shtrënguar palën serbe ta pranoj planin e paqes, e ai plan jo vetëm se ka garantuar që NATO-ja të ketë qarkullim të lirë nëpër tërë RFJ-në, por ka garantuar edhe mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit territorial të Jugosllavisë (qëllimi ka qenë që të ruhet paqja dhe stabiliteti ndërkombëtar) dhe këtë më së miri e dëshmon dokumenti i 3 qershorit të vitit 1999 (Ahtisari dhe Çernomerdini)… Po këtë – pra se rezultati përfundimtar i bombardimeve të NATO-s ka qenë ruajtja e integritetit territorial të Jugosllavisë dhe si rrjedhojë Kosovës i është imponuar vetëvendosje e brendshme – e thotë edhe një ekspert kosovar në faqe 242 të librit e tij “Self Determination, Territorial Integrity and International Stability: The Case of Yugoslavia” të botuar nga një institut prestigjioz vjenez për zgjidhjen e konflikteve.
NATO ka rezultuar e suksesshme: pala serbe e ka pranuar me 3 qershor dokumentin e Atisarit dhe Çernomerdinit prej 10 pikash, ku pika tetë e merr tërësisht parasysh Marrëveshjen e Rambujesë dhe integritetin e sovranitetin territorial të Jugosllavisë. Nga kjo rrjedhë se Parlamenti i Serbisë dhe ish-Presidenti Millosheviq, me 3 qershor e kanë pranuar Marrëveshjen e Rambujesë. Zatën, intervenimi i NATO-s është bërë, siç u tha edhe më sipër, për t’u pranuar Marrëveshja e Rambujesë, e kjo marrëveshje, siç thuhet, veç tjerash, në Kapitullin 7 të saj – Shtojcat – Shtojca B: Statusi i forcave implementuese multinacionale, pika 8, garanton që “personeli i NATO-s do të gëzojë së bashku me automjetet, aeroplanët, mbajtësit dhe mjetet e tij, qarkullim të lirë, të pakufizuar dhe hyrje të papenguar nëpër tërë RFJ-në, duke përfshirë hapësirën ajrore dhe ujërat territoriale…”
Pra, në bazë të Marrëveshjes së Rambujesë qe paraparë që trupat e NATO-s të mund të vendosen në gjithë territorin e ish-Jugosllavisë dhe po ashtu, në bazë të asaj marrëveshjeje qe paraparë që në Kosovë të mbesin 2500 trupa të MUP-it, kurse 1500 trupa të armatës jugosllave si roje të kufirit… Mirëpo, pas intervenimit të NATO-s për shkak të situatës së krijuar vendoset që të mos mbesin trupat serbe që ka qenë paraparë të mbesin në Kosovë, por të kthehen më vonë kur të vlerësohet nga ndërkombëtarët se për një gjë të tillë janë pjekur kushtet – legalisht s’ka asfarë pengese; dhe po ashtu për shkak të situatës së krijuar as trupat e NATO-s s’do të kenë të drejtë të vendosen në territorin e ish-Jugosllavisë tash SMZ-së…
Është me rëndësi të thuhet se në një deklaratë të dhënë me 23 shtator të vitit 1999, në gazetën Washington Post, ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s Javier Solana, ka thënë se “Shqiptarët e Kosovës duhet të heqin dorë nga shpresat e tyre se do të fitojnë pavarësinë duke e ndarë provincën nga Serbia. Ata duhet të heqin dorë nga qëllimet e tyre. Po qe se komuniteti ndërkombëtar lejon ndryshimin e kufinjve në Serbinë jugore do të ishte e vështirë të ndalohej ndarja në vendet tjera të Ballkanit dhe mbase edhe në pjesë të territorit të Rusisë”
Për më tepër se kaq, edhe presidenti i atëhershëm amerikan, gjatë bombardimeve të NATO-s, në një fjalim drejtuar popullit serb, pat deklaruar: “aleatët e NATO-s mbështesin popullin serb për ruajtjen e Kosovës si pjesë e vendit tuaj.” (Henry Kissinger, “Dëmtimi i Historisë”, botuar në librin “Lufta kundër luftës” në faqe 232-236.) Po të njëjtën gjë e pat thënë edhe ish sekretarja amerikane Albright, në një intervistë dhënë kanalit televiziv CNN me 21 shkurt të vitit 1999…
Fare në fund, me intervenimin e NATO-s nuk është suprimuar sovraniteti i Jugosllavisë ndaj Kosovës – pra sovraniteti de facto se ai de jure garantohet me rezolutën 1244 – por vetëm është suspenduar. Në vijim të kësaj, duhet thënë se garantimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të ish RFJ-së, tash SMZ-së, do të ketë reperkusione të drejtpërdrejta në definimin e statusit final të Kosovës dhe se nuk duhet të mirret joseriozisht deklarata e Solanës me rastin e vizitës së paradoditshme në Prishtinë, ku në një intervistë dhënë RTK-së inter alia tha: e vetmja gjë që mund të them është nuk do të ketë kthim të Kosovës në gjendjen para vitit 1999 dhe se e ardhmja e Kosovës është në Evropë. Tash shtrohet pyetja: E ardhmja e Kosovës në Evropë si shtet i pavarur apo si pjesë e Unionit Serbi Mali i Zi, ngase e kemi të qartë që ardhmja e Kosovës nuk është në Azi?!
Lord Robertson, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, në një vjetorin e sulmeve të NATO-s në Kosovë, kur bën fjalë për qëllimet e kwtij intervenimi, thotë se ndër kërkesat që është dashur Millosheviqi të plotësojë për t’u ndalur bombardimet e NATO-s ka qenë edhe garantimi i njw gatishmërie të besueshme për të punuar mbi bazën e bisedimeve të Rambujésë në krijimin e një plan-marrëveshjeje politike për Kosovën.