VV e LDK të heshtura pas takimit me ambasadorët
Më pak se një javë i kanë në dispozicion Albin Kurti dhe Isa Mustafa për të vendosur përfundimisht se çfarë epilogu duan t’i japin punës së koalicionit. Pas takimit me ambasadorët e pesë vendeve dhe shefen e zyrës së BE’së asgjë s’ka lëvizur. Një ditë më pas, të mërkurën, në të dy partitë ka mbretëruar heshtja.
Të martën ndërkombëtarët u njoftuan gjerësisht se pse marrëveshja e LV-së dhe LDK-së nuk po realizohet.
Në takimin që Albin Kurti e Isa Mustafa e mbajtën me ambasadorët e vendeve të QUINT-it e me shefen e zyrës së BE-së në Kosovë, nuk pati asnjë shkëndijë që mund të përmirësojë situatën.
Ndërkombëtarët dëgjuan ofertat dhe kërkesat e dy partive, e nga zyrat e Kuvendit dolën me një kërkesë të vetme që e kanë përsëritur tash e një kohë – Institucionet të formohen sa më shpejtë, e se ata nuk përfshihen në këtë proces.
Kurti dhe Mustafa ka javë që janë duke qëndruar në një pikë të diskutimeve. LV ka përcjellë edhe oferta të reja, por, që insistojnë që se shkarkojnë Glauk Konjufcën, edhe nëse kjo do të thotë se duhet të rritet numri i ministrive.
Në anën tjetër, LDK pos presidentit, kërkon edhe kryeparlamentarin dhe pesë ministritë që i zgjodhi Mustafa në takimin e parë në Kuvend të Kosovës.
Derisa gjatë ditës së djeshme, në takimet disa orëshe nuk lëvizi asgjë drejt koordinimit për marrëveshje, afati kohor që ka LV-ja tashmë është drejt fundit.
Sa më afër katër shkurtit, se nuk do të ketë fare koalicion mes dy partive, është opsioni që po shihet si më i realizueshmi. Kjo situatë mund të prodhojë alternativa tjera, apo edhe zgjedhje të reja.
LV dhe LDK nuk kanë bërë të ditur se kur e kanë lënë për t’u parë, apo nëse kanë pse të shihen në vazhdim dy liderët. Në fakt, dje pas takimit vetë liderët e bënë të qartë se marrëveshja është larg.
Isa Mustafa, shef i LDK-së doli para mediave duke thënë se edhe ambasadorëve ia kanë përcjellë qëndrimin e njëjtë se oferta që e kanë vënë ata në tavolinë është më e mira e mundshme. Ai ka kërkuar edhe njëherë nga LV-ja që të heqin dorë nga qëndrimi për postin e spikerit të Kuvendit.
“Ne biseduam me Lëvizjen Vetëvendosje për mundësinë e një koalicioni qeverisës. Informuam edhe ambasadorët QUINT-it, sepse ata kishin për qëllim me ardhjen e tyre vetëm sa të informohen jo të ndërmjetësojnë dhe të ndikojnë në procesin e marrëveshjes. Si Lidhje Demokratikë e Kosovës ne jemi të bindur se zgjidhja që e kemi ofruar është një zgjidhje, e cila i kontribuon marrëveshjes qeverisëse, e cila balancon mbi suazat e votës së qytetarëve dhe besimin e qytetarëve që e kemi marrë ne zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar dhe u shprehëm se mbesim të hapur nëse Lëvizja Vetëvendosje si parti e parë i pranon kushtet tona për bashkëqeverisje. Ne jemi të gatshëm për të bërë marrëveshje dhe konsiderojmë se do të jetë një marrëveshje e cila i kontribuon vendit, i kontribuon luftës kundër korrupsionit, i kontribuon zhvillimit ekonomik, dhe i jep përgjigje qytetarëve në besimin që e kemi marrë”, u shpreh Mustafa.
Për të treguar se kanë edhe një takim pa marrëveshje, doli të tregojë edhe i mandatuari për kryeministër, lideri i LV-së, Albin Kurti.
“Takimi ishte i gjatë meqenëse gjysma e takimit ishte përkthim për ambasadorët e QUINT-it dhe shefen e BE-së në Kosovë. Unë i falënderoj të gjithë ata për pjesëmarrje, që u janë përgjigjur ftesës sime, në mënyrë që për së afërmi të jenë të njoftuar me zhvillimet e fundit meqenëse interesimi i tyre është i madh. Në vend që të takohemi secili prej nesh ndaras, kishim një shancë të mirë që të takohemi të gjithë bashkë. Nuk ka përafërim të pozicioneve nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ata insistojnë në propozimin e tyre të vjetër të datës 8 janar. Ne kemi bërë edhe dy propozime të tjera prej se e kemi dërguar emrin tim te Presidenti i Kosovës si person për Kryeministër të ri – janë propozimet e datës 24 janar dhe 27 janar. Mirëpo, për marrëveshje nevojitet përafrim i dyanshëm. Nuk mund të ketë përafrim të njëanshëm. Ne jemi afruar, mirëpo, nga ana tjetër, ka insistim vetëm në 8 janar, në stilin “merre ose lëre”. Me qasjen “merre ose lëre” nuk mund të arrijmë marrëveshje”, ka deklaruar Kurti.
Derisa Kurti thotë se nuk do t’i ndalë përpjekjet për formim të qeverisë, i ka mbetur vetëm deri më datë 4 shkrut që të merret vesh ose të prodhojë skenar të ri në vend.