Vuçiqi nga Tirana fton Kosovën në “Ballkanin e Hapur”
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se është shumë i lumtur për marrëveshjet e nënshkruara, duke shtuar se ky është kurorëzim i një pune dy vjeçare.
Ai ka thënë se kjo është arritur në saje të këmbënguljes së të ekipeve të tria shteteve.
Vuçiq ka thënë se kjo iniciativë nuk ka për qëllim krijimin e një Serbie të Madhe.
Ai e ka ftuar Kosovën, Malin e Zi e Bosnjën t’i bashkohen kësaj iniciative.
“Ne duhet të përqendrohemi te e ardhmja dhe si të arrijmë atje. Ne duam të shikojmë më shumë turistë nga Tirana e Shkupi e qytete tjera. Pra në fund të fundit kjo punë ka të bëjë me rezultate të prekshme për qytetarët tanë. Duke ardhur sot në Tiranë, dua të shpreh respektin tim për të gjithë qytetarët. Serbinë duhet ta shihni si shtëpinë tuaj të dytë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se nuk duhet të ketë barriera mes kompanive në mënyrë që të tërheqin sa më shumë investitorë.
Vuçiq ka bërë ftesë edhe për Prishtinë e Sarajevën e Podgoricën t’i bashkohen kësaj iniciative, duke shtuar se këto të gjitha po i bëjnë për qytetarët.
Ai ka thënë se ndonjëherë nervozohet për shkak se insistojnë në bashkimin e këtyre vendeve sikur s’mund t’ia dalin pa ta.
Ndërkaq kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i ka quajtur hapa konkretë marrëveshjet e nënshkruara. Ai ka përsëritur thirrjet e tre liderëve se “Ballkani i Hapur” është iniciativë e hapur për të gjitha vendet e rajonit.
“Brukseli mund ta ngadalësojë evropianizimin, por standardet evropiane në Maqedoni, Shqipëri e Serbi s’duhet të presin e të ndalen”, ka thënë ai.
E ka quajtur të pakthim “Ballkanin e Hapur”.