Vuçiq i kërkoi në Bruksel që të hapen arkivat e UÇK-së, Hoti thotë se nuk është pajtuar me këtë
Në takimin e parë të drejtpërdrejtë Kosovë – Serbi në fazën e fundit të dialogut për marrëveshje përfundimtare, presidenti serb Aleksandër Vuciq ka kërkuar që të hapen arkivat e UÇK-së.
“Nuk ka problem, por ata duhet të hapin arkivat e UÇK-së, në mënyrë që të shohim se ku u vranë serbët dhe joshqiptarët e tjerë. Siç e thamë ne, ishte sikur të kërkonim të popullonim tërë Tokën në Mërkur ose Venus brenda një jave”, kishte thënë Vuçiq pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin.
Një kërkesë e tillë e palës serbe nuk është pranuar nga përfaqësuesi i shtetit të Kosovës.
Kështu së paku thotë kryeministri Avdullah Hoti, i cili në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës theksoi se nuk ka diskutuar për hapje të arkivave të UÇK-së.
“Parimi i dytë që të sillet drejtësi, e që të kihet kujdes për familjet e viktimave, nuk kam diskutu apo s’jam dakordu që të hapen arkivat e UÇK-së. Tema e dytë çështjet ekonomike çka kemi shtru ne si palë i kemi listuar të gjitha çështjet që janë të mbyllura”, ka thënë ai, duke shtuar se koordinatori shtetëror Skender Hyseni mbi këto parime që nga dje ka filluar hartimin e marrëveshjes ndërkombëtare.