Vuçiq: Dorëheqja e Haradinajt një trik kundër Thaçit e Veselit
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, mbrëmë kishte mbeldhur një takim urgjent të krerëve të shtetit, ndërkohë sot ashtu siç kishte premtuar, ka folur për dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj, shkruan Gazeta Express.
Ai ka folur nga zyra e tij në Beograd, duket thënë se dorëheqja e Ramush Haradinajt është një trik politik, dhe një lëvizje e Haradinajt për të dominuar mbi kundërshtarët e tij politikë.
“Ne kemi frikë se zhvillimet politike në Kosovë po shkojnë në atë drejtim për të shtyrë edhe më tepër dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dorëheqja e Haradinajt është një trik politik, përmes të cilit dëshiron të fitoj më shumë popullaritet dhe të dominojë mbi kundërshtarët e tij politik”, ka thënë Vuçiq, shkruan REL, trasnmeton Gazeta Express.
Sipas tij Haradinaj dëshiron që të kthehet edhe më i fuqishëm pas Hagës, për të fituar më shumë vota në zgjedhjet e mundshme në shtator.
Përveç tjerash ai ka thënë se shteti serb duhet të veprojë me qetësi, duke porositur serbët që jetojnë në Kosovë se ‘mund të llogarisin në shtetin serb’.
Haradinaj ka dhënë dorëheqje të premten, pasi ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale që të intervistohet në Hagë si i dyshuar
Ramush Haradinaj dha dorëheqje të premten dy muaj pa i mbushur dy vite të Qeverisë së ndërtuar nga AAK, PDK, NISMA e AKR. Haradinaj dha dorëheqje pasi tha se i erdhi ftesa nga Gjykata Speciale, e cila është krijuar për t’i ndjekur ish-udhëheqësit e UÇK’së të dyshuar se kanë kryer krime lufte. Kohëve të fundit, Haradinaj prishi raportet me Liderin e PDK’së, Kadri Veselin, i cili nga Washingtoni tha se Kryeministri i Kosovës po flet me Amerikën sikur me Serbinë.
Haradinaj tha se një deklaratë e tillë është servilizëm politik. Haradinaj ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i kthehet vendimmarrja popullit. PDK ka mbetur e hutuar nga ky vendi.
LDK e Vetëvendosje kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme sikurse edhe PSD e NISMA e Fatmir Limajt. Presidenti pritet gjatë ditëve të thërras partitë politike për t’u konsultuar për dy opsionet: themelimin e një Qeverie të re ose shkuarjen në zgjedhje.
Praktikisht, ekziston vetëm një opsion pasi askush s’ka numra për të ndërtuar Qeverinë e re, pasi askush s’mund të llogarisë as në votat e Listës Srpska, e cila ka braktisur koalicionin prej vitit të kaluar kur u vendos taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe. Qeveria e Ramush Haradinaj prej kur vendosi taksën mbeti Qeveri e pakicës e mbështetur për disa vendime nga PSD e Shpend Ahmetit.
Ramush Haradinaj është Kryeministri i gjashtë i Kosovës pas Bajram Rexhepit, Bajram Kosumit, Agim Çekut, Hashim Thaçit e Isa Mustafës. Haradinaj kishte udhëhequr Qeverinë e Kosovës edhe një herë për 100 ditë kur ishte detyruar të jepte dorëheqje në mars të vitit 2005 për të shkuar në Tribunalin e Hagës si i akuzuar për krime lufte. Atje ishte shpallur dy herë i pafajshëm. Asnjëri prej Shefave të Qeverisë prej pasluftës s’e ka përfunduar mandatin kushtetues. Prej pasluftës janë mbajtur gjashtë palë zgjedhje nacionale. /FaktePlus