Vritet në Iran lideri politik i Hamasit
Lideri politik i Hamasit, Ismail Haniyeh, është vrarë në shtëpinë e tij në kryeqendrën e Iranit, Tehran, ka njoftuar grupi militant palestinez, raporton “BBC”.
Hamasi në një deklaratë ka akuzuar Izraelin për vrasjen, duke thënë se Haniyeh u vra “në një sulm të pabesë sionist”.
Grupi ka thënë se ai kishte marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri të Iranit, Masoud Pezeshkian të martën.
Zyrtari i lartë i Hamasit, Moussa Abu Marzouk, e ka quajtur vrasjen “një akt qyqar që nuk do të shkojë pa u ndëshkuar”.
Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) ka ofruar ngushëllime të sinqerta dhe ka thënë se do të hetojë “shkakun dhe dimensionet e incidentit”, raporton agjencia iraniane “Sepah”.
Ka thënë se Haniyehu dhe një nga truprojat e tij janë vrarë.
E ministri izraelit Amichay Eliyahu, nga radhët e ekstremit të djathtë, ka thënë se “vdekja e Haniyehut e bën botën një vend më të mirë”.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë thënë se nuk do të komentojnë vrasjen. Zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit, Daniel Hagari, ka thënë se po “e vlerësojnë situatën”.
Vrasja e Haniyehut erdhi vetëm disa orë, pasi Izraeli pretendoi se ka vrarë komandantin e lartë ushtarak të Hezbollahut, Fuad Shukur, në një sulm ajror me raketa në Bejrut të martën.
Sulmi në Bejrut ishte si hakmarrje për një sulm me raketa në Rrafshnaltën Golan të shtunën, ku u vranë 12 fëmijë e adoleshentë.
Presidenti palestinez Mahmoud Abbas, e ka quajtur vrasjen e Haniyehut një “akt qyqar dhe zhvillim të rrezikshëm”.
Ai u ka bërë thirrje palestinezëve “të bashkohen, të jenë të durueshëm e të palëkundur përballë okupimit izraelit”.
E Rusia dhe Turqia kanë dënuar vrasjen e liderit të Hamasit.
Nga Ministria e Jashtme e Rusisë vrasja e Haniyehut është përshkruar si “një vrasje plotësisht e papranueshme politike”.
E Turqia e ka quajtur “vrasje të turpshme në Tehran”.
Sipas mediumeve në Arabi Saudite, Haniyeh, është vrarë nga një raketë e dirigjuar që shënjestroi pronën e tij në Tehran. Ai u godit rreth orës 2 pas mesnate me kohë lokale.