Vrau një grua gjatë garës me vetura, fati i kosovarit në duar e gjykatës
Kosovari 22 vjeçar i dënuar me burgim të përjetshëm për shkaktimin e një vdekjeje pas një gare fatale me makina në Moers sfidon aktgjykimin. Gjykata Federale e Drejtësisë (BGH) duhet të rishikojë vendimin e Gjykatës Rajonale në Kleve, shkruan Agjencia Gjermane e Lajmeve, DPA.
I pandehuri ka paraqitur një ankesë ndaj aktgjykimit, ka thënë të premten një zëdhënës i gjykatës së përmendur, transmeton albinfo.ch. Pjesëmarrësi tjetër në garë, i dënuar me 3 vjet e 9 muaj burgim, gjithashtu ka paraqitur ankesë.
Gjykata kishte marrë vendimin e saj për këtë rast, të hënën. Ajo ka konstatuar se 22-vjeçari kosovar kishte bërë një garë makinash me një person, shtetas të Gjermanisë, të së njëjtës moshë. Gara ishte zhvilluar në një zonë banimi në Moers, në prill të vitit 2019.
Makina e kosovarit ishte përplasur me makinën e një gruaje të pafajshme dhe që nuk kishte të bënte me garuesit, transmeton albinfo.ch. Gruaja 43 vjeç kishte vdekur tri ditë më vonë nga plagët e pësuara.
Sipas ekspertizës, makina, shkaktare e aksidentit, kishte zhvilluar shpejtësinë deri në 167 kilometra në orë gjatë garës, brenda zonës së banuar.
Shoferi tjetër, një shtetas gjerman, ishte dënuar me tre vjet dhe nëntë muaj nga gjykata për pjesëmarrje në një garë të ndaluar automobilistike që ka rezultuar me vdekje. Zyra e prokurorit publik në Kleve dhe avokati i palës së dëmtuar nuk duan të paraqesin ankesë.