Vrasje, aksidente apo ndodhi tjera, zëdhënësit e policisë s’japin informacione në ditë festash
Një person është gjetur i vdekur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në Prishtinë. Viktima rreth 30 vjeçar dyshohet të ketë bërë vetëvrasje. Por, vjen mesdita dhe zyrtarët për informim të Policisë së Kosovës, nuk japin asnjë informacion për rastin në fjalë.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus sot në orët e mëngjesit raportoi se një person rreth 30 vjeçar është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në rrugën “Rinia” në Prishtinë.
Dyshimet e para janë që personi në fjalë ka bërë vetëvrasje me armë zjarri.
Për këtë rast siç ka mësuar FaktePlus janë njoftuar edhe autoritetet e rendit dhe tashmë po merren me rastin.
Por, ka ardhur mesdita dhe pesë zëdhënësit e policisë, tre në nivel qendror dhe dy të tjerë nga rajoni i Prishtinës, nuk kanë dhënë asnjë informacion për rastin në fjalë.
Nga tentimi i FaktePlus për të marrë informacion zyrtar të policisë, është kuptuar se zëdhënësi Bajram Kransiqi është në trajnim, kurse Daut Hoxha është deklaruar se është në punë pasdite.
Edhe zëdhënësi Baki Kelani nuk ka pranuar të jap informacion. Ai tha se për rastin në fjalë duhet të kontaktohen zëdhënësit nga rajoni policor i Prishtinës.
Kështu FaktePlus ka provuar të kontaktojë dy zëdhënësit nga rajoni i Prishtinës, Agron Borovcin dhe Flora Ahmetin, por që të dy këta duket se kanë zgjedhur të mos dalin në punë, pasi kanë qenë të pa qasshëm edhe në telefon.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që në raste festash dhe ditë pushimi, si sot dita e Kushtetutës së Kosovës, e gjithë zyra për informim e Policisë së Kosovës në një ose formë tjetër pushon dhe rrjedhimisht nuk jep informacione mbi ngjarjet që ndodhin në vend./FaktePlus