Vrasja në Llaushë të Skenderajt, Kryeprokurori Lumezi kërkon hetime dhe masa disiplinore ndaj prokurores
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka reaguar pas vrasjes së Lirije Qerimajt nga Llausha e Skenderajt dhe për dyshimet për neglizhencën e institucioneve të sigurisë në trajtimin e rastit.
Përmes një komunikate për media, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se kryeprokurori Aleksandër Lumezi ka kërkuar nga kryeprokurori i Mitrovicës, Ismet Ujkani që t’i shqyrtoj të gjitha veprimet që janë marrë lidhur me rastin e viktimës.
“Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani, si autoritet kompetent, që të shqyrtojë të gjitha veprimet e prokurores lidhur me rastin e viktimës L.Q nga Llausha e Skenderajt dhe nga të gjeturat eventuale t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.
“Kryeprokurori Lumezi ka kërkuar nga Menaxheri i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave që të shqyrtojë të gjitha veprimet e mbrojtësit të viktimave lidhur me këtë rast dhe nga të gjeturat eventuale të ndërmerren edhe veprimet e nevojshme”, thuhet tutje në komunikatë.