Votohet projektligji për Gjykatën Komerciale
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që në Programin Legjislativ të saj për vitin 2019, të përfshihet edhe projektligji për Gjykatën Komerciale.
Themelimi i kësaj gjykate del si rezultat i analizave të procesit të rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit, rezultate këto që rekomandojnë fuqishëm themelimin e kësaj gjykate, bëhet e ditur në një njoftim për media të Qeverisë.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri duke arsyetuar këtë propozim tha se themelimi i kësaj gjykate është si rezultat i analizave të procesit të rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit.
“ Propozoj të rishikohet programi legjislativ për këtë vit 2019, dhe në kuadër të tij të përfshihet dhe projektligji për Gjykatën Komerciale. Themelimi i kësaj gjykate del si rezultat i analizave të proces të rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit. Rezultate këto që rekomandojnë fuqishëm themelimin e kësaj gjykate. Po ashtu themelimi i kësaj gjykate është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, andaj propozoj miratimin e këtij propozimi”, tha Tahiri.
Në mbledhjen e sotme të ekzekutivit miratim ka marrë edhe Rregullorja për Integrimin e të Huajve, e cila përcakton procedurat, kriteret dhe institucionet përgjegjëse për integrimin e të huajve në jetën sociale, ekonomike dhe kulturore në Kosovë, si dhe Rregulloren për Shqyrtimin Administrativ të Akteve të Komunave.
Kabineti Qeveritar aprovoi nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Portugalisë dhe Qeverisë së Kosovës për promovimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të investimeve.