Votat e shumta të pavlefshme, kërkohet edukimi i votuesve
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se në dy palë zgjedhjet e fundit votat e pavlefshme e kanë kaluar pragun, dhe pasi të numërohen votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta, mund të rritet edhe më shumë numri i fletëvotimeve të pavlefshme në zgjedhjet e 6 tetorit.
Sipas Cakollit, në këtë numër të madh të fletëvotimeve të pavlefshme po ndikojnë edhe fushatat nga subjektet politike të cilat kryesisht po orientohen vetëm tek kandidatët, shkruan gazeta inFokus.
“Në bazë të trendeve të analizimit të këtyre fletëvotimeve të pavlefshme për gjatë këtyre cikleve të kaluara zgjedhore 5 deri në 6 pikë përqindje është më shumë numri i votave të pavlefshme si rezultat i informimit të gabuar apo fushatave të partive sesa rasteve kur është shënuar më shumë se një subjekt politik që mund të përkthehet në prishje të qëllimshme të fletëvotimit nga ana e votuesve, andaj KQZ duhet të trajtoj pjesën më të madhe të këtyre fletëvotimeve të pavlefshme që vijnë si rezultat i informimit”, tha Cakolli.
Sipas KDI-së, dhjetë komunat me përqindjen më të lartë të votave të pavlefshme në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit janë: Skenderaj 9.66%, Novobërdë 9.64%, Drenas 9.47%, Podujevë 8.40%, Lipjan 8.31%, Rahovec 8.07%, Dragash 6.67% ,Malishevë 6.27%, Kamenicë 5.91% dhe Viti me 5.90%.
Referuar këtyre të dhënave, hulumtuesi i KDI-së i ka rekomanduar KQZ që përmes kampanjave të tyre të fokusohen më shumë në komunat që ka numër më të madh të votave të pavlefshme.
“Skenderaj dhe Drenas të cilat kanë pasur edhe përgjatë zgjedhjeve të kaluara numër të madh të fletëvotimeve të pavlefshme tashmë kanë dyfshin e votave të pavlefshme krahasuar me mesataren në nivel vendi, derisa mesatarja në nivel vendi sillet rreth 5 për qind në këto komuna numri i votave të pavlefshme arrin deri 10 përqind të numri të përgjithshëm të votave. Rrjedhimisht KQZ do të duhej të analizonte këto dy aspekte në mënyrë që kampanjat e ardhshme të informimit dhe edukimit të votuesve të jenë të targetuara sidomos në këto komuna dhe pse jo të zhvillohen edhe opinioni publik në mënyrë që të kuptohen preferencat dhe ndarjet demografike të votuesve”, theksoi ai.
Kujtojmë që dukuria e fletëvotimeve të pavlefshme ka qenë prezente mjaftë shumë edhe në dy palë zgjedhjet parlamentare të mëhershme. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, numri i fletëvotimeve të tilla kishte qenë 30 mijë e 725, kurse në zgjedhjet e kaluara gjithsej ishin 42 mijë e 554 fletëvotime të pavlefshme.