Vota e Hetem Arifit në Kuvend – a do ta rrëzojë Kushtetuesja Qeverinë Hoti
Pavarësisht problemeve që i kishte me ligjin, për shkeljen e të cilit u dënua me burg dhe dënim i cili iu bë i plotfuqishëm në muajin janar nga Supremja, deputeti nga radhët e komunitetit ashkali, Hetem Arifi, vazhdoi të merrte pjesë e të votonte në seancat e Kuvendit të Kosovës, institucion ky në të cilin mori mandatin e deputetit nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019.
Arifi veç tjerash kishte votuar disa herë prej themelimit të legjislaturës së shtatë, e në mesin e tyre edhe pro mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, e më pas edhe pro formimit të Qeverisë Hoti, e cila u zgjodh me shumicën e thjeshtë të votave të ligjvënësve, 61 të tilla.
Nxitur nga kjo situatë dhe rrëzimi i Qeverisë së tyre nga një votë e vetme, Lëvizja Vetëvendosja e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të vlerësuar kushtetueshmërinë e pjesëmarrjes dhe votimit të deputetit Hetem Arifi, të cilin akt e konsideron të paligjshëm. Ky subjekt politik konsideron se kësisoj është shkelur Kushtetuta me votimin e Arifit në Kuvend.
Neni 70 i Kushtetutës së Kosovës, paragrafi 3, tregon se kur humb ose shpallet i pavlefshëm mandati i deputetit. Aty bëhet e qartë se deputeti humb mandatin veç tjerash edhe nëse dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim.
Njëjtë thuhet edhe në Ligjin nr.03/L-111 për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, ku ceket se një deputeti i përfundon para kohe mandati kur ndaj tij është shqiptuar dënim i formës së prerë me burgim në kohëzgjatje për një ose më shumë vjet burgim.
“1.6. 1. Mandati i Deputetit/es përfundon para kohe nëse me vendimin e formës së prerë të gjykatës dënohet për vepër penale me vuajtje të dënimit për një ose më shumë vjet burg”, thuhet në nenin 8 të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, i cili nen flet për përfundimin e mandatit të deputetit.
Për profesorin dhe njohësin e çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliun, neni i Kushtetueses është i qartë, porse për rastin në fjalë i mbetet Gjykatës Kushtetuese të vendosë.
“Parimisht, është e qartë që deputetët e dënuar me vendim të Gjykatës kompetente, për veprat penale me burg efektiv siç është rasti i zotëriut në fjalë, është diskutabile nëse mund ta ushtrojnë apo jo mandatin e tyre si deputet. Por, para se të vendosë Gjykata nuk do të ishte mirë të paragjykojmë”, ka thënë Baraliu për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Baraliu parasheh pasoja nëse Gjykata vendos që votimi është i pavlefshëm kurse konsideron që nëse ndodh kjo, Gjykata duhet ta sqarojë në pika të ndryshme validitetin dhe legjitimitetin e Qeverisë.
“Nëse shpallet vota e pavlerë, atëherë nënkupton që ka mungesë të kuorumit kushtetues të paraparë pasi siç e dimë Qeveria është zgjedhur me 61 vota dhe do të duhej që të kishte pasoja. Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj do ta sqarojë në pika të ndryshme se çfarë pasoja sjell mospasja e mandatit, pra, vota jovalide e një deputeti dhe se cilat janë rrjedhojat sa i përket validitetit dhe legjitimitetit të Qeverisë. Ajo duhet ta shpjegoj në vendimin e saj”, shton Baraliu.
Ndërkohë për njohësin e çështjeve që kanë të bëjnë me ligjin, Ehat Miftarajn, deputeti gëzon të drejtën e mandatit të tij, përderisa ai nuk i merret.
Miftaraj për FaktePlus ka thënë se Arifit nuk i është shqiptuar dënimi plotësues që do t’ia merrte mandatin, edhe pse është dënuar për veprën penale.
“Edhe pse me aktgjykim të formës së prerë, gjykata që ka shpallur Aktgjykimin dhe e ka dënuar deputetin në fjalë me burgim efektiv nuk ka shqiptuar dënim plotësues lidhur me kufizimin për të njëjtin për të ushtruar funksione publike përfshirë kufizimin të drejtës për të kandiduar për deputet të Kuvendit të Kosovës, ashtu si edhe e ka përcaktuar Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës me vendimet e mëhershme. Në këtë drejtim, mungesa e zbatimit të ligjit nga ana e gjykatave në Kosovë po krijojnë hapësira ku deputetë të Kuvendit edhe pse të dënuar për vepra penale të iu mundësohet të ushtrojnë këtë funksion”, ka thënë Miftaraj.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka pyetur edhe Gjykatën Kushtetuese se kur pritet të dalë me një vendim për këtë çështje.
Nga Kushtetuesja thonë se do të dalin me një vendim porsa të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të çështjes.
“Kjo lëndë tashmë është proceduar nga Gjykata. Vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të çështjes së parashtruar”, ka thënë Veton Dula, zëdhënës në këtë institucion.
Ndryshe, për çështjen e deputetit Hedtem Arifi edhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani kishte kërkuar trajtim nga Komisioni parlamentar për Legjislacion, Mandate e Imunitete, mirëpo ajo e kishte refuzuar duke u arsyetuar se kjo është çështje e përfunduar gjyqësore.
Qysh në dhjetor të vitit 2016, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj deputetit Hetem Arifi për veprën penale mashtrim në subvencione në bashkëkryerje dhe ushtrim i ndikimit.
Sipas aktakuzës, Hetem Arifi ka shfrytëzuar pozitën e tij të deputetit për të ndikuar për dhënien e subvencioneve për OJQ-në “Zëri i Ashkalinjëve për Integrim”, duke siguruar në këtë mënyrë shumën prej 25.646.00 euro. Këto para, sipas prokurorisë, nuk janë përdorur për qëllime për të cilat janë dhënë, por janë përvetësuar nga Arifi dhe Gashi për persona të tjerë.
Në aktakuzë shkruhet se Gashi kishte paraqitur të dhëna fiktive për organizatën “Zëri i Ashkalinjve për Integrim” kurse kishte ushtruar ndikim tek zyrtarët shtetërorë gjatë periudhës dhjetor 2012-2013 për dhënien e subvencioneve për organizatën në fjalë, edhe pse e dinte se ishte fiktive.
Në prill të vitit 2018, Arifi i cili ishte edhe asokohe deputet, ishte dënuar me dy vjet dënim me kusht, që të mos kryente vepër penale tjetër brenda 3 vitesh. Arifi u dënua për veprën mashtrim me subvencione kurse u lirua nga akuza për ushtrim të ndikimit. Ai po ashtu u detyrua t’i paguante 22.900 euro Ministrisë për Kthim dhe Komunitete, si dhe 2700 euro Zyrës së Kryeministrit për Komunitete në afat kohor prej 6 muajve të ndara në tre këste.
Gjykata e Apelit në mars të 2019 ia kishte rritur dënimin Arifit, duke e dënuar me 1 vjet e 3 muaj burgim efektiv. Gjithashtu, Apeli e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores për sa i përket veprës penale të ushtrimit të ndikimit, për çka deputeti Arifi, ishte liruar nga akuzat nga shkalla e parë, duke e kthyer çështjen në rigjykim.
Pas kthimit në rivendosje nga Gjykata Supreme, Apeli në nëntor të vitit 2019 kishte vërtetuar masën e dënimit të Arifit, duke e dënuar me një vit e tre muaj burgim efektiv kurse kishte vendosur që ai të rigjykohet për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, për të cilën ishte liruar nga gjykata e shkallës së parë.
Mbrojtja e Etem Arifit, i ishte drejtuar sërish Gjykatës Supreme me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, por Supremja e kishte refuzuar kërkesën si të pabazuar.
Pasi që i ishte bërë i plotfuqishëm vendimi, Gjykata në shkurt të këtij viti e kishte lëshuar një urdhëresë ku ai duhej të paraqitej në Qendrën e Paraburgimit në kryeqytet për ta vuajtur dënimin. Arifi në mars kishte bërë kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit për 2 muaj, e cila iu kishte aprovuar. Pastaj edhe në fund të prillit për herë të dytë i ishte aprovuar kërkesa tjetër për shtyrje të ekzekutimit të dënimit. Me vendimin e fundit, Arifi duhet të paraqitet më 29 qershor në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë për ta filluar dënimin.
Hetem Arifi është kryetar i Partisë së Ashkalinjve për Integrim dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, i vetmi nga partia e tij. Ai në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 u rizgjodh deputet pasi kishte fituar 2089 vota./FaktePlus