Vonesat me projektin e shkallëve të gjata në “Arbëri”
Kontrata u nënshkrua në muajin shkurt dhe parashihej që punimet të kryheshin brenda 120 ditë pune, por ky afat ka kaluar që një kohë të gjatë dhe rregullimi i shkallëve në lagjen “Arbëria” të Prishtinës ende nuk ka përfunduar. Për këtë projekt para disa ditëve edhe një zyrtar i komunës së Prishtinës përfundoi prapa grilave për shkak se i kërkoi ryshfet kompanisë punëkryese.
Projekti i cili quhet “Revitalizim i shkallëve dhe ndërtimi i mbikalimit, në lagjen “Arbëria” parasheh të kryhen një sërë punimesh në këtë hapësirë, por erdhi dimri e bora e parë dhe punët nuk kanë përfunduar.
Se ka vonesa në këtë projekt e pranon edhe Tahir Sopa që është pronar i kompanisë “NBT – ING”, e cila është duke kryer punimet.
Ai është arsyetuar se vonesat kanë ardhur pasi kanë pasur probleme lidhur me disa leje që është dashur të pajiset Komuna.
Po ashtu, sipas tij, ndër pengesat kryesore kanë qenë edhe telashet që u dolën me zyrtarin e Komunës së Prishtinës, i cili u kishte kërkuar mito, e që më pas ishte prangosur.
“Kemi pas ndërprerje të punëve, ngase disa elemente aty kanë qenë pa leje. Deri sa Komuna i ka marrë lejet ka pasur disa ndërprerje. Por, kemi pas disa vonesa edhe shkaku i atyre procedurave gjyqësore me zyrtarin e komunës, gjë që dihen botërisht. Kjo ka qenë edhe pengesa kryesore në vonesat që i kemi pasur. Prej datës 18 nëntor kemi filluar me punë, por tash po i ndërpresim kohë pas kohe shkaku i motit. Pastaj testet e pllakave po marrin shumë kohë”, tha Sopa për FaktePlus.
Pronari i kompanisë që nuk arriti të ndërtojë shkallët me kohë, nuk ka as tani ndonjë datë se kur do të mund të kryhen punët. Ai thotë se tani kjo varet edhe prej kushteve atmosferike.
“Nëse na premton koha është çështje ditësh që të përmbyllën punimet, pasi jemi në fazën përfundimtare”, tha Sopa.
Megjithëkëtë, raportet komunale që i ka parë FaktePlus flasin për vonesa të shumta në këtë projekt. Raporti i hartuar nga Drejtoria e Investimeve Kapitale për muajin tetor, e i cili është hartuar në gjysmën e muajit nëntor, tregon se gjatë muajit tetor punëtorët e kompanisë për 18 ditë rresht nuk kanë dal në vendin e punës. Po ashtu, sipas raportit disa prej vonesave kanë të bëjnë edhe me testin e pllakave.
“Vonesat -Shkalla e cilësisë: Mund të konkludojmë se do të kemi vonesa në punime: Si pasojë e rezultateve të mostrave të pllakave të gurit; Vonesa e atesteve të punëve metalike; Vonesa e atesteve për këndin e lodrave; Plotësim ndryshim i Vendimit, nr. 05.nr. 351/01-0042989/18, dt. 18.04.2018. Punëkryesi ka munguar 18 ditë në punishte me tërë stafin e tij, ku edhe është njoftuar DIKMK dhe Drejtoria e Prokurimit”, thuhet në raportin e Drejtorisë së Investimeve Kapitale.
Projekti i cili quhet “Revitalizim i shkallëve dhe ndërtimi i mbikalimit, në lagjen “Arbëria” parasheh punime në rreth 300 metra gjatësi, me shkallë të gjera 2.5 metra, të shtruara me gurë natyrorë me trashësi prej 10 centimetrash.
Po ashtu parshihet të rregullohet edhe kanalizimi atmosferik, ndriçimi si dhe hapësirat përcjellëse për pushim. Sipas planifikimit do të ndahen edhe këndet e lojërave për fëmijë, si dhe do të shtohen hapësirat e gjelbra rreth shkallëve.
Sipas, kontratës së nënshkruar, vlera e projektit është 463 262.41 euro dhe plani dinamik i kryerjes së punimeve është 120 ditë. Kontrata ka qenë nënshkruar me 5 shkurt të 2018, kurse punët për ndërtim kanë filluar në mars.
Punët e realizuara sipas raportit
Punët përgatitore; Punët e gurit, pjesërisht; Punët metalike, pjesërisht; Kanalizimi atmosferik dhe rrjeti i furnizimit me ujë për ujitje për projektin e shkallëve dhe mbikalimit; Rrjeti i ujësjellësit dhe sistemi i ujitjes; Punët e ndërtimit të rezervuarit 1 dhe 2; Punët e elektrikes, pjesërisht.
Punët që ende janë në realizim:
Vazhdim i punëve; Mveshja e shkallëve me pllaka guri, Vazhdimi i punimeve në këndin e lodrave; Presim montimin e parmakeve në pjesët e punuara nga pllakat e gurëve, Vazhdim i punëve elektrike; Vazhdim i punëve të instalimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit; Punët e vegjetacionit.
Organi Mbikëqyrës Komunal ka bërë edhe rekomandimet e tyre. Aty është rekomanduar operatori ekonomik, që cilësia e punimeve të jetë komfor kontratës dhe specifikimeve teknike. Mandej është obliguar operatori nga organi mbikëqyrës, që ta rrisë kapacitetin dinamik të punimeve, si dhe të bëjë sigurimin e punishtes. Është thënë po ashtu se duhet të rritet fuqia punëtore dhe mekanizimi i nevojshëm për të përfunduar projektin, mandej sjellja e atesteve për punët metalike, për këndin e lodrave dhe pllakat e gurit./M.B – FaktePlus