Vonesat në formimin e Qeverisë do të ndikojnë negativisht në ekonominë e vendit
Vendosja për rinumërimin e më shumë se 800 vendvotimeve, do të ndikojë në vonimin e institucioneve shtetërore.
E këto vonesa nga njohësit e rrethanave ekonomike në vend, po shihen si të dëmshme për ekonominë vendit, e që do të ndikojnë drejtpërdrejt në ngecjen e realizimit të projekteve kapitale.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini në një prononcim për Ekonomia Online thotë se Kosova sa më shpejt duhet t’i formojë institucionet dhe që Kosovës t’i jepet mundësia nëpër institucionet ndërkombëtare dhe që të merr vëmendjen e faktorit ndërkombëtar.
“Vakuumi institucional ka ndikim në zhvillimin ekonomik të vendit dhe kjo reflekton edhe te investimet e brendshme dhe ato të jashtme dhe kjo është gjëja më e keqe që i ndodh Kosovës dhe është bërë traditë që të vonohen”.
“Prandaj sa më shpejt që Kosova t’i formon institucionet e veta për qeverisjen e vet neve na hapet mundësia që Kosova të tenton të ateron nëpër institucionet e ndryshme ndërkombëtare dhe të krijon mundësi për tërheqjen e vëmendjes të faktorit ndërkombëtar për njohjen e Kosovës dhe për investime të huaja që janë tepër të nevojshme për ekonominë e vendit sepse ekonomia e Kosovës përkundër që ka parametrat pozitiv, gjendja reale është tepër e rëndë dhe qytetarët e vendit mezi po presin që të marrin një vizë dhe të ikin nga Kosova dhe gjithë kjo ndodh nëse institucionet e vendit do të zvarriten që të formohen”, thotë ai.
Shahini pohon se investimet e huaja në vitin e kaluar kanë qenë rreth 50 milionë më pak dhe kjo lidhet dhe me rritjen e papunësisë në vend, ndërsa ka pasur rreth 12 mijë punëtorë më pak.
Thotë se investimet kapitale Kosova i ka të orientuara në infrastrukturë, andaj duhet një strategji që mos të ketë ngecje në integrim dhe në investime.
“Investimet kapitale ne i kemi orientuar në infrastrukturë por në mungesë të një strategjie kombëtare ne nuk kemi ende një mision të veçantë se çka i mungon Kosovës. Neve na mungojnë investimet në të gjithë sektorët e vendit dhe ne nuk dimë cili është sektori më prioritet në vend dhe për të investuar aty. Secila qeveri i ka prioritetet e veta dhe asnjëherë nuk ka strategji kombëtare. Ne kemi disa projekte të proklamuar nga qeveritë e Kosovës që do të investohen në nje drejtim, kurse tash qeveritë e ardhshme thonë që nuk ka interes për investime. Kosovës i duhet një strategji që Kosova të mos ngecë as në integrime dhe investime”.
Procesi i numërimit të votave po vazhdon ende, ndërsa formimi i institucioneve shtetërore, duket se do të marrë kohë.