Vlera e lojtarëve: Mbappe sundon globin, i ngritet vlera Milot Rashicës
Observatori i Futbollit i njohur me emrin CIES ka publikuar përditësimin e fundit për vlerën e lojtarëve për 5 ligat më të forta në Europë.
Premier League
Në Angli është sërish Harry Kane që qëndron më lart se të gjithë. Sulmuesi i Tottenham vlen 198 milionë euro, 19% e vlerës së skuadrës së “Spurs”. Pas tij është Rahem Sterling, i vlerësuar me 187 milionë euro dhe Salah i treti me vlerë 185 milionë euro.
Bundesliga
Jadon Sancho është padyshim xhevahiri i Dortmund dhe i kampionatit gjerman. Sulmuesi anglez vlerësohet 148 milionë euro, ndërsa më pak se gjysma e tij vlen Niklas Sule i Bayern Munich dhe Timo Werner i Leipzig. Vlen të theksohet se në këtë listë është edhe Milot Rashica. Sulmuesi kosovar është lojtari më i shtrenjtë tek Werder Bremen, vlera e tij llogaritet në 12 milionë euro.
La Liga
Lionel Messi është sërish lojtari më i shtrenjtë që luan në kampionatin spanjoll. Sulmuesi i Barcelonës vlerësohet 171 milionë euro, sa 14% e vlerës së gjithë skuadrës katalanase. Pas tij renditet Griezmann i Atletico Madrid me 150 milionë euro. Ndërkohë Real Madrid lojtarin më të shtrenjtë ka Thibaut Courtois me vlerë 75 milionë euro.
Serie A
Në Itali lojtari më i shtrenjtë është Paulo Dybala sipas CIES, vlera e tij llogaritet të jetë 142 milionë euro, sa 15% e të gjithë vlerës së skuadrës së Juventus. Ndërsa Cristiano Ronaldo edhe pse 34 vjeç ka vlerë 125 milionë euro. Nga Napoli është Lorenzo Insigne me 96 milionë, Mauro Icardi ka pësuar rënie, vlerësohet 74 milionë dhe Piatek i Milanit është rritur sërish, edhe pse kuqezinjtë e blenë për 35 milionë euro, polaku vlen 68 sipas CIES.
Ligue 1
Kylian Mbappe është rekordmeni, sulmuesi i PSG-së vlerësohet 228 milionë euro, duke u bërë lojtari më i shtrenjtë në planet sipas CIES. Në vend të dytë, por shumë larg me vlerë renditet Memphis Depay i Lyon, 80 milionë euro. /FaktePlus