VLEN: Kalojmë në vepra, 100 milionë euro për zhvillim të komunave
Koalicioni VLEN njofton se pas investitmit prej 34.5 milionë eurosh për kampusin e Universitetit “Nënë Tereza”, tani është shpallur thirrja publike prej 100 milionë eurove, nga të cilat sipas VLEN një pjesë e konsiderueshme do të fokusohet në investime për përmirësimin e infrastrukturës në zonat e banuara me popullatë shqiptare.
“Derisa Bashkimi Jodemokratik për Dezintegrim (BJD) – BDI vazhdon të zhytet në gënjeshtra dhe manipulime të përditshme, koalicioni VLEN, brenda Qeverisë, merr përgjegjësinë për të sjellë projekte konkrete dhe zhvillim të qëndrueshëm për shqiptarët në vend. Pas investimit historik prej 34.5 milionë eurosh për kampusin e Universitetit “Nënë Tereza”, tani është shpallur thirrja publike prej 100 milionë eurove, nga të cilat një pjesë e konsiderueshme do të fokusohet në investime për përmirësimin e infrastrukturës në zonat
Shqiptare”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.
Sipas VLEN-it sundimi i BDI-së ka lënë pas vete problemet që ende pengojnë qytetarët të zhvillojnë një jetë normale.
“Sundimi 22 vjeçar i BDI-së ka lënë pas vetes shkatërrim, ndërsa problemet që ende pengojnë qytetarët të zhvillojnë një jetë normale janë të pafundme. Për këtë arsye, koalicioni VLEN, përmes thirrjes publike prej 100 milionë euro, ka për qëllim të sigurojë zhvillim të drejtë dhe rajonal, duke zgjidhur një herë e përgjithmonë sfidat infrastrukturore që bllokojnë përparimin. Ky program ndërhyrës nuk është vetëm një premtim – është një përgjigje konkrete për problemet thelbësore të qytetarëve tanë dhe hap një rrugë për një të ardhme më të ndritur dhe më të parashikueshme për të gjithë. Derisa BDI vazhdon të krenohet me patriotizëm të rremë dhe të shmangë përgjegjësinë për korrupsionin e saj të madh, VLEN është këtu për të realizuar atë që ata kurrë nuk e bënë: decentralizimin e vërtetë. Ne jemi këtu për të realizuar punë të vërtetë për mirëqenien e qytetarëve! Kalojmë në vepra: realizimi i programit të parë buxhetor prej 100 milionë euro për komunat do të fillojë deri në fund të vitit 2024. Kryetarët e BDI-së mund të konkurrojnë me projekte, dhe ne nga VLEN nuk do t’i diskriminojmë. Jemi të gatshëm ta kryejmë edhe punën e tyre”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.