Vjosa Osmanit i ofrohen dy poste shumë të rëndësishme
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ditën e shtunë, më 3 gusht e mbajti Kuvendin e nëntë zgjedhor, duke e rizgjedhur me aklamacion në postin e kryetarit Isa Mustafën. Por, diskutimet brenda kësaj partie për postet tjera drejtuese ende po vazhdojnë dhe duket se këtu fituese do të dalë Vjosa Osmani, të cilës merret vesh se i janë ofruar dy poste shumë të rëndësishme.
Në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe për katër vjet do të jetë Isa Mustafa. E kjo u zyrtarizua të shtunën në Kuvendin e nëntë zgjedhor të kësaj partie, ku Mustafa mori besimin e shumicës së delegatëve pjesëmarrës.
Edhe pse u shfaqën pakënaqësi dhe disa delegatë lëshuan punimet e Kuvendit, Mustafa pas rizgjedhjes në krye të partisë nga një proces që zgjati rreth dy orë me dyer të mbyllura, tha se ka qenë një proces demokratik dhe i hapur duke ofruar mundësinë për të gjithë që të garojnë.
Si do qoftë rizgjedhja e Mustafës më krye të LDK-së u sfidua vetëm nga Fatmir Sejdiu, i cili dikur udhëhoqi me këtë parti ku edhe mbajti postin e presidentit të Kosovës.
Ndërsa pretendentët e tjerë si Agim Veliu, Vjosa Osmani, Lutfi Haziri, apo edhe të tjerë u tërhoqën nga gara dhe tani po presin të marrin postet tjera drejtuese në parti.
Diskutimet brenda LDK-së për postet tjera drejtuese po vazhdojnë edhe ditën e hënë dhe duket se këtu fituese do të dalë Vjosa Osmani, të cilës merret vesh se i janë ofruar dy poste shumë të rëndësishme.
Burimet e Agjencisë së Lajmeve FaktePlus thonë se kryetari Isa Mustafa nuk po shpreh interesim për të qenë kandidat për kryeministër nga LDK dhe se kjo pozitë i është ofruar deputetes Vjosa Osmani.
Madje, kësaj radhe është shpikur një post i ri vetëm për Osmanin.
“Vjosa Osmanit i janë ofruar dy pozita shumë të rëndësishme. Ajo do të jetë nënkryetare e parë e LDK-së dhe kandidate për kryeministre”, ka thënë një zyrtar që ka dëgjuar diskutimet e bëra sot brenda LDK-së.
Kështu, personat e tjerë që më parë pretendonin të merrnin drejtimin e partisë, si Agim Veliu, Lutfi Haziri, Gazmend Muhaxheri, e të tjerë, duhet të “kënaqen” me pozita më të ulëta.
Kujtojmë se Lidhja Demokratike e Kosovës, ka nisur muaj më parë procesin e brendshëm zgjedhor, për t’i zgjedhur organet e reja drejtuese për mandatin katër vjeçar.
Por, jo të gjitha kuvendet zgjedhore nëpër degë kaluan ashtu siç u parashikua, pa eksese. Madje, në disa kuvende zgjedhore nëpër degë, delegatët përdoren grushtet për t’i qëruar hesapet mes veti, për shkak të mospajtimeve lidhur me procesin zgjedhor.
Si do qoftë, tani LDK ka të rikonfirmnuar për kryetar Isa Mustafën, pasi ai me votim të hapur mori shumicën e votave nga delegatët e Kuvendit të IX zgjedhor. Brenda LDK-së po vazhdojnë diskutimet dhe ditët në vijim do të zgjedhen edhe organet tjera drejtuese, si Kryesia dhe nënkryetarët e partisë./FaktePlus