Vjosa Osmani: Edhe tri ditë PDK-ja shkon në opozitë
Para mijëra simpatizantëve të komunës së Podujevës, kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, është zotuar të mërkurën se edhe tri ditë na ndajnë nga fitorja jonë, kur PDK-ja dhe Klani i saj pronto do të shkojnë në opozitë.
“Ju e dini shumë mirë që kur e kam dhënë besën, kurrë nuk e kam shkelë atë besë. Kurrë koalicion me PDK-në. Kurrë koalicion me regjisorët e Klanit pronto, të cilët me krim e korrupsion, me montazha dhe falsifikime po synojnë ta manipulojnë vullnetit e qytetarëve”, tha Vjosa Osmani.
Nënkryetarja e LDK-së ka thënë se Klani pronto me krim e korrupsion e kanë shkatërruar shtetin dhe e ka vrarë shpresën te rinia jonë.
Ajo shtoi se janë të kota përpjekjet që me montazha dhe falsifikime të krijojnë përçarje në LDK, sepse “ne jemi më unikë se kurrë”.
“Të nderuar qytetarë të Podujevës dhe krejt Kosovës. Duke i parë gjithë këta përkrahës këtu në Podujevë dhe gjithë Kosovën, unë nuk kam më dyshim në përcaktimin tuaj pro LDK-së. Por kësaj here na nevojitet përkrahje e fuqishme që ta bëjmë ndryshimin e madh. Ju lus që pjesëmarrja në zgjedhje të jetë masive, sikur në kohën e Presidentit Rugova, për ta jetësuar vizionin e tij për Kosovën shtet demokratik të zhvilluar dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian“, tha Vjosa Osmani. /FaktePlus