Vjosa Osmani e nervozuar përgjigjet për fotografinë e Thaçit: Kjo temë është e mbyllur
Kryertarja e Kuvendit të Kosovës bëri të ditur se Kryesia që ajo drejton ka vendosur që të enjten të mbahet seanca ku do të votohet konstituimi i Komisioneve parlamentare.
Ajo theksoi se PDK-së, partisë që bojkotoi Kryesinë, i kanë mbetur dy Komisione për t’i udhëhequr, të cilat sipas saj janë të rëndësishme.
“U pajtuam të gjithë që seanca të mbahet të enjten, pasi jemi vonuar mjaft shumë. Partisë opozitare që nuk ishte prezent, pra PDK-së, i kanë mbetur dy komisione më të rëndësishme që kanë të bëjnë me mbikëqyrjen e punës së Qeverisë”, ka thënë Osmani.
Mirëpo, kjo nuk ishte pika më e nxehtë e konferencës pasi, meqë u bojkotua për shkak të fotografisë së Thaçit, Osmani u pyet për këtë çështje. Për dallim nga radhët e tjera, Osmani ka folur me nervozizëm, duke thënë se “kjo temë është e mbyllur”.
Osmani thotë se PDK-së nuk po i pengon çështja e fotografisë por, sipas saj, këtë po e përdorin për të çuar qëllimin tjetër që kanë e që, siç thotë ajo, është bojkoti politik.
“Ta them qartë dhe mirë. Nën një: Kjo temë është e mbyllur; nën 2: PDK-ja ka filluar bojkotin ndaj institucioneve më 3 shkurt. Në qoftëse ata dëshirojnë të gjejnë arsyetime se si e dekoroj unë zyrën time, le të përdorin arsyetime të tilla sepse nuk e gjejnë guximin ta thonë të vërtetën, pasi bojkoti i tyre ka nisur më 3 shkurt kur u votua Qeveria. Pra bojkoti i tyre është politik dhe po i përdorin këto tema. NUk ka filluar bojkoti më 4 shkurt në mëngjes(dita kur e hoqi fotografinë), por nisi më 3 shkurt”, ka thënë Osmani.
Sidoqoftë, PDK-ja sot konfirmoi se do të vazhdojë bojkotin dhe me këtë rast e nisi një letër në drejtim të zyrës së Kryeparlamentares, duke i kërkuar rikthimin e fotografisë së presidentit Thaçi.