Vjosa: Kurti po planifikon që të krijojë qeverinë me vota të PDK-së dhe AAK-së
Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, në një fjalim nga Prishtina ka drejtuar kritika të shumta në drejtim të Kadri Veselit, Ramush Haradinajt, Albin Kurtit e Shpend Ahmetit.
Osmani ka thënë se po flet për luftën kundër korrupsionit ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli. Ish-kryeministrit Ramush Haradinaj ia ka përmendur faktin që ia ka lënë në dorë dialogun Hashim Thaçit, Shpend Ahmetit deklaratën për mos guxim që të dërgojë lule tek varri i Ibrahim Rugovës.
Kandidatja për kryeministre gjithashtu ka drejtuar kritika edhe ndaj kreut të VV-së, Albin Kurtit, duke thënë se ai s-mund të flasë për atë se si do ta mbajë Kosovën e bashkuar, kur s’ka mundur ta mbajë bashkë partinë.
“Po na thotë sguxon Vjosa, ai që ka thënë se skam guxu me dërgu lule tek varri i Rugovës. Po flet për guxim, ai që sguxoi me e mbrojt Kosovën para Serbisë, e ia lë në dorë dialogun Hashim Thaçin. Po na flet për guxim me e lexu korrupsionin, shefi i SHIK-ut, paramendoni se kush po flet për korrupsion. E ky i Vetëvendosjes po thotë që vetëm ai mundet me e mbajt Kosovën të bashkuar, por ai as partinë e vetë nuk mbajti të bashkuar”, ka thënë Vjosa Osmani.
Ajo ka pasur edhe disa mesazhe specifike për Lëvizjen Vetëvendosje dhe për deklaratat e kreut të kësaj partie se LDK-ja do të bëjë koalicion me PDK-në.
Osmani ka thënë se kur ajo thotë “kurrë me PDK-në”, atëherë ashtu mbetet. Ajo ka thënë se vetë Kurti po planifikon që të krijojë qeverinë me vota të PDK-së dhe AAK-së.
“Le ta dëgjojnë këtë edhe të nivelit qendror që iu dhanë trishtim edhe ata në nivel lokal që u bënë bashkë me krimin e nuk kthyen sytë nga ju. Një parti po mundohet me iu bind se LDK-ja po shkon në koalicion me PDK-në. Secili qytetar e din që kjo është një gënjeshtër. Kur unë them kurrë me PDK-në, kjo është kurrë me PDK-në. E ata që po e helmojnë popullin me shpifje të tilla, po thonë që po shpresojmë që disa deputetë të PDK-së e AAK-së të formojnë qeverinë”, ka shtuar Osmani.
Sa i përket garës në Prishtinë, Osmani ka thënë se LDK-ja do të fitojë me 15 për qind diferencë nga vendi i dytë.