Vjedhjet e dëmet milionëshe – e pabesueshme sa inspektorë pyjor i ka Kosova
Në mesin e pasurive natyrore që po digjen, ndoten e shkatërrohen në vendin tonë, janë edhe pyjet. Diku po vidhet masa drunore për t’u shitur apo për t’u ngrohur, e diku tjetër po i vihet zjarri. Dëmtimi po bëhet si nga persona, ashtu edhe nga kompani të ndryshme. Nga Agjencia Pyjore e Kosovës kanë thënë dëmi nga këto veprimtari ilegale ka arritur në afër 1 milion euro, kurse shqetësues po ashtu mbetet numri i vogël i inspektorëve dhe rojtarëve.
Agjencia Pyjore e Kosovës ka ngritur 91 fletëparaqitje kundërvajtëse e 15 penale, ndërsa autoritetet komunale gjatë periudhës janar-tetor 2019 kanë ngritur 2431 fletëparaqitje kundërvajtëse e 513 penale ndaj personave që kanë shkaktuar dëme në territorin pyjor të Kosovës.
Po ashtu janë sekuestruar 337 metra kub lëndë drusore. Këto të dhëna i ka bërë të ditur për FaktePlus Besim Zogaj, Drejtor i Drejtoratit Qendror të Inspekcionit për Pylltari dhe Gjueti në Agjencinë Pyjore të Kosovës.
Sipas këtyre të dhënave, janë shënuar mbi 18 mijë metra kub dëm apo shprehur në vlerë monetare, afër 850 mijë euro.
Krahasuar me të dhënat e vitit të kaluar, dëmi duket të jetë më i vogël. Në vitin e kaluar autoritetet komunale kishin ngritur 4501 fletëparaqitje kundërvajtëse dhe 1147 penale, ndërsa dëmi në total arrinte në 1 milion e 800 mijë euro. Ndërkaq, po atë vit ishin sekuestruar 746 metra kub drunore.
Sipas të dhënave që Policia e Kosovës i ka bërë të ditura për FaktePlus gjatë këtij viti janë shënuar 3 raste të veprës penale ‘Shkretërim i pyllit’ dhe 247 raste për veprën penale ‘Vjedhje e pyllit’.
Shkretërimi dhe vjedhja e pyllit janë vepra penale të sanksionuara edhe sipas Kodit Penal të Kosovës. Neni 348 “Shkretërimi i pyjeve” thekson se kushdo që në kundërshtim me ligjin ose urdhrin e organit kompetent, bën prerjen apo shkatërrimin e pyllit ose në ndonjë mënyrë tjetër shkretëron pyjet, dënohet me gjobë ose me burgim deri në katër vjet. Nëse ky dëmtim bëhet në pyllin e mbrojtur, dënimi parashihet me gjobë dhe deri në pesë vjet burgim.
Ndërsa neni 349 “Vjedhja e pyllit” thekson që kushdo që me qëllim të vjedhjes pret trungjet në pyll dhe sasia e drunjve të prerë kalon dy metra kub, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.
Po ashtu, theksohet se nëse vepra penale kryhet me qëllim që drunjtë e prerë të shiten; nëse sasia e drunjve të prerë është mbi pesë metra kub; ose nëse vepra penale është kryer në pyllin e mbrojtur, në parkun e mbrojtur apo në pyllin tjetër me destinim të posaçëm, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre muaj deri në katër vjet.
Format më të shprehura të dëmtimit të pyjeve sipas Agjencisë Pyjore të Kosovës (APK) mbeten prerjet me qëllim të furnizimit me dru për ngrohje, prerjet për qëllime komerciale, zjarrvëniet, si dhe dëmtimet e tyre gjatë ndërtimit të infrastrukturës rrugore.
“Format më të shprehura të dëmtimit të pyjeve janë; prerjet ilegale të pyjeve për qëllime të furnizimit me dru për ngrohje sidomos nga banorët e viseve rurale pa përjashtuar edhe prerjet ilegale për qëllime komerciale. Formë tjetër e dëmtimeve të pyjeve është e shprehur edhe dukuria e zjarrvënieve disa prej të cilave janë aksidentale, nga djegia e hamullorëve dhe mos arritja e menaxhimit të zonës së lokalizuar të zjarrit, nga pakujdesia, por pa dyshim se ka raste të zjarrvënieve të qëllimshme qoftë nga blegtorët që synojnë zgjerimin e sipërfaqeve të kullosave, por edhe nga persona qe mund të konsiderohen “piroman”. Edhe forma e dëmtimeve të pyjeve gjatë ndërtimit të infrastrukturës rrugore është evidente, edhe ajo e ndërtimev, uzurpimeve etj”, thuhet në përgjigjen e APK-së.
Sa i përket qyteteve më të prekura nga aktivitetet ilegale, sipas APK-së prijnë komunat në veri të Kosovës, pastaj Podujeva, Suhareka e Ferizaj.
“Komunat që zakonisht kanë potenciale me të mëdha të pyjeve sidomos në aspektin e pyjeve më kualitative janë më të atakuara për shkak se edhe përfitimet e dëmtuesve ilegal janë me të mëdha, por kjo gjendje ka pasur edhe ndryshime varësisht nga qasja apo serioziteti që autoritete komunale kanë treguar ndaj këtij sektori. Komuna e Ferizajt, Podujevës dhe Suharekës janë komuna shumë të atakuara nga veprimet ilegale . Po ashtu komuna e Kaçanikut, Novobërdës janë të atakuara, por sigurisht se për aktivitete ilegale prijnë Komunat në Veri të Kosovës. Gjendje e mirë nuk është as në Komunat, Fushë Kosovë, Obiliq etj”.
Nga Agjencioni Pyjor i Kosovës ankohen edhe për numrin e vogël të rojtarëve dhe inspektorëve që janë në Kosovë. Sipas tyre, në krahasim me detyrat që i kanë sipas ligjeve në fuqi dhe sipërfaqes së territoreve që mbulojnë, numri i të punësuarve lë për të dëshiruar.
“Numri i të punësuarve në Drejtoratin Qendror të Inspekcionit për Pylltari dhe Gjueti, Agjencioni Pyjor i Kosovës-MBPZHR është 13. Nga këta 10 janë Inspektorë të Pylltarisë dhe Gjuetisë ku për shkak të efikasitetit përpiqemi që gjashtë regjionet sipas organizimeve që ka APK-ja t’i mbulojmë me nga dy inspektorë. Se a është numri mjaftueshëm në raport me obligimet – nuk do koment, pasi është tejet i vogël ashtu siç është i vogël edhe numri i rojtarëve të pyjeve të cilët janë të ngarkuar me terrene në sipërfaqe prej 500-1500/ha, modele këto të marra nga shtetet e Skandinavisë”, thuhet në përgjigjen e institucionit.
Referuar të dhënave zyrtare krahasimore në mes të dy inventarizimeve të pyjeve, 2002 dhe 2012, Kosova në vitin 2002 ka pasur sipërfaqe me pyje dhe toka pyjore, 460,800/ha ose shprehur në përqindje 42.1% e territorit të Kosovës është e mbuluar me pyje dhe toka pyjore prej të cilave raporti në mes të atyre shtetërore dhe private është 38% ose 180,800 ha pyje private dhe 62% ose 295,200.ha pyje shtetërore.
Inventarizimi i vitit, 2012 rezulton se Kosova ka 481,000/ha pyje dhe toka pyjore çka d.m.th se 44.7% e territorit të Kosovës është e mbuluar me pyje./FaktePlus