Viti i zi për Kosovën, pa asnjë njohje e me disa çnjohje
Kosova ka mbyllur vitin 2019 pa asnjë njohje të re, që do të thotë se që nga shpallja e pavarësisë, Kosova asnjëherë nuk ka mbetur pa të paktën një njohje brenda vitit. Barbadosi ishte vendi i fundit në botë që njohu pavarësinë e Kosovës dhe atë me 15 shkurt të vitit 2018. Sipas kësaj, në shkurt të vitit 2020 Kosova i bënë dy vjet që nuk e ka marrë asnjë njohje të re të shtetësisë së saj.
Dështimi i diplomacisë kosovare për të sjellë njohje të reja, ka bërë që shteti i Kosovës të dalë në defanzivë karshi diplomacisë së Serbisë. Kjo, për faktin se Kosova lerë që nuk arriti të bindë shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e saj, që ta bëjnë një gjë të tillë, por nuk ka arritur as t’i mbajë njohjet nga disa shtete që i mori vite më parë.
Kosova dështoi t’i bindë disa shtete, sidomos afrikane që njohja e pavarësisë së Kosovës është e duhur. Kjo bëri që lobimi i diplomacisë serbe të jetë aq i fuqishëm, sa që disa prej tyre që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta tërheqin atë.
Kjo fushatë e Serbisë për t’i bindur shtetet veç e veç për ta tërhequr njohjen e Kosovës nisi vite me parë, por që këtë vit tërheqja e njohjeve për Kosovën nga shtetet sidomos afrikane dhe aziatike ishte mjaftë e theksuar.
Madje, qeveria në Beograd pretendon se ka arritur që t’i bind 15 shtete që ta tërheqin njohjen e tyre për pavarësinë e Kosovës.
Së fundi u raportua se edhe shteti i Ganës ka marrë vendim për tërheqjen e njohjes për Kosovën. Ky shtet në Afrikë njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2012.
“Qeveria e Ganës ka vendosur të tërheqë njohjen e Kosovën si një shtet i pavarur”, ka cituar AFP, zëvendësministrin e Jashtëm të Ganës, Charles Oëiredu, para pak muajve.
Kurse, në letrën që Ministria e Punëve të Jashtme e Ganës e ka dërguar te autoritetet në Serbi e cila është prezantuar nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, thuhet se vendimi për njohjen e Kosovës në vitin 2012 ishte i parakohshëm.
Kurse Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, përmes një komunikate e kishte mohuar tërheqjen e njohjes nga Gana, duke thënë se nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me pretendimet e ministrit serb Daçiq për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Gana.
Thuajse i tërë viti 2019 ka shkuar, Serbia duke paraqitur dokumente me të cilat pretendonte se janë vendime të shteteve për tërheqje të njohjeve, e autoritetet në Kosovë duke kundërshtuar lajme të tilla.
Dështimi i diplomacisë kosovare nuk ishte vetëm në mos sjelljen e njohjeve të reja për Kosovën, por edhe në anëtarësimin e shtetit që pret t’i bëjë 12 vjet në shkurt, në organizata rajonale, evropiane e ndërkombëtare.
Më 20 nëntor 2018 Kosova kishte aplikuar për t’u bërë pjesë e organizatës më të madhe policore në botë, INTERPOL-it, por që kishte dështuar.
Kjo pasi që nuk kishte arritur të merrte shumicën e votave të nevojshme, pra prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që ishte mbajtur në Dubai.
Në rrethin e parë të votimit, anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL e kishin mbështetur 76 shtete, kundër kishin votuar 56 shtete, kurse 22 kishin abstenuan. Mirëpo, në rrethin e dytë të votimit, Kosova kishte arritur të merrte 68 vota për, 51 kundër dhe 16 abstenime.
Kjo bëri që Kosova të shënojë njërën nga disfatat me të mëdha diplomatike, pasi nuk kishte arritur që të siguronte as votat e shteteve që kanë njohur shtetin e Kosovës dhe kanë marrëdhënie diplomatike të lidhura mes vete, siç ishte Japonia.
Dështimi për t’u anëtarësuar në INTERPOL në vitin 2018 bëri që Kosova të aplikonte sërish gjatë vitit 2019 për të provuar që të bëhet pjesë e organizatës më të madhe policore në botë.
Mirëpo, kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një letre të dërguar Asamblesë së Interpolit ka kërkuar tërheqjen e kërkesës për pranim të Kosovës në këtë organizatë.
“Duke marrë parasysh zgjedhjet që janë zhvilluar në Kosovë më 6 tetor 2019, ju lus që kërkesa për pranim në INTERPOL të shtyhet për mbledhjen e radhës”, thuhej në letrën e Haradinajt dërguar Asamblesë së INTERPOL-it.
Gjatë vitit 2019 diplomacia kosovare nuk ka arritur të aplikojë as për anëtarësim në Këshillin e Evropës, për të cilën zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë theksuar se do ta bëjnë një gjë të tillë pasi kanë mbështetjen e shteteve mike.
Sikurse as pas katër viteve që kur ka dështuar Kosova të bëhet pjesë e UNESCO-s, më nuk është provuar që të bëhet anëtare e saj.
Duke parë gjithë këto dështime, opozita dhe shoqëria civile e kanë vlerësuar si vit të dështuar për Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe në diplomaci./FaktePlus