Viti i ri shkollor nuk pritet të fillojë mbarë, paralajmërohen greva në gjithë vendin
Ndryshe nga komunat tjera të Kosovës, viti i ri shkollor 2019/2020 në Komunën e Kamenicës pritet të fillojë me greva nga mësimdhënësit të mbështetur nga SBASHK-u, kundër mbylljes së 19 shkollave në kuadër të reformave të paralajmëruara nga kryetari Qëndron Kastrati.
Nisjen e vitit shkollor me greva e ka konfirmuar për FaktePlus kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, i cila ka thënë se nuk do të pranojnë që të mbyllet as edhe një shkollë e vetme.
Idenë e kryetarit të komunës së Kamenicës Qëndron Kastrati për reforma në arsim, Jashari e ka quajtur të pavend, sepse sipas tij, kjo do të linte shumë mësimdhënës pa punë.
I pyetur se sa është numri i mësimdhënësve të 19 shkollave që pritet të mbyllen, i pari i SBASHK-ut ka thënë se kjo shifër po mbahet e fshehur nga vetë kryetari i komunës.
“Kryetari Kastrati po e fsheh këtë shifër, por me vetë faktin që është një numër i konsiderueshëm i shkollave që sipas idesë së tij do të mbyllen atëherë do të kemi një numër të madh të mësimdhënësve që do të mbeteshin pa punë”, ka thënë ai.
Jashari ka treguar se SBASHK-u ka dalë publikisht pas takimit që ka mbajtur me kolegët në Kamenicë, dhe se ata janë njëzëri bashkë, që të mos lejohet mbyllja e shkollave.
“Nëse kryetari Qëndron Kastrati vazhdon me këtë ide ne në Kamenice do të kemi një fillim të vitit shkollë me greva e cila pastaj do të përhapet edhe në nivel vendi në shenjë solidariteti me mësimdhënësit nga komuna e Kamenicës. Pra do të bëjmë të pamundurën që asnjë shkollë në Kosovë mos filloj mësimin sepse kjo nuk është zgjidhje. Nuk mund të quhet reformë mbyllja e shkollave por rigrupim gjë që është e pa drejtë”, ka thënë ai.
Jashari ka treguar se sot do të kenë një takim me kryetarin Qëndron Kastrati për gjetjen e një zgjidhje.
“Me kryetarin Kastrati sot do të kemi takim i cili do të vijë në zyret tona për të biseduar rreth gjetjes së një zgjidhje, por ai do ta marrë përgjigjen e njëjtë sepse SBASHK-u është kategorik kundër mbylljes së shkollave”, ka thënë ai.
Jashari tutje ka shtuar se është evidente që numri i nxënësve në nivel vendi po bie, por nuk është zgjidhje mbyllja e shkollave.
“Në jemi të vetëdijshëm që numri i nxënësve po bie kudo në Kosovë por shteti duhet të bëjë një plan afatgjatë dhe të jap përgjigje se çka ndodhë me mësim dhënësit që mbesin pa punë, çka do të ndodhë me nxënësit që do të udhëtojnë me kilometra sidomos me fëmijët e vegjël nga klasa e parë deri në të pestën dhe shume pyetje tjera”, ka thënë në fund Jashari./FaktePlus