Viti i mbrapshtë i Shpend Ahmetit
Ide me bollëk, por me pak realizime. Kështu është përmbyllur viti që tashmë kemi lënë pas për qeverisjen e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti. I pari i kryeqytetit as buxhetin e vitit 2018 që e planifikoi me bashkëpunëtorët e tij, nuk ka mundur ta realizoj sipas planifikimeve. Të dhënat tregojnë se planifikimet thuajse në asnjë fushë nuk u realizuan, e për më keq nuk u shpenzuan paratë as për investime kapitale.
Buxheti për vitin 2018 ka qenë i miratuar në Kuvendin komunal në vlerë prej 72,312,149.00 euro. Për një vit u shpenzuan 61,333,591.24 euro, ose 84.86 për qind e tij.
FaktePlus i ka parë raportet komunale në të cilat tregohet se për investimet kapitale kanë qenë të miratuara 24,954,207.00 euro, por komuna arriti që të shpenzojë vetëm 16 milionë 793 mijë, ose 67 për qind të planifikimit.
Paratë për projektet kapitale paguhen me situacione për punët e kryera, dhe ato e kanë planin dinamikës të përfundimit, varësisht se kur kontraktohen. Të dhënat tregojnë se Komunës iu nxitua me shpenzimin e parave nga kategoria e Investimeve Kapitale në muajin e fundit të vitit.
Nëse në dhjetor u shpenzuan 3,917,656.87 euro, raportet komunale tregojnë se në muajin nëntor, ato janë shpenzuar në vlerë prej 1,461,277.62 euro, në tetor 2,549,308.37 euro, kurse në shtator vetëm 808,542.63 euro, etj.
Veçmas kësaj shume, mjetet e bartura për projektet e vitit 2017 që u bartën në vitin 2018 kanë qenë në vlere prej 13,928,725.90. Por, edhe paraët e këtyre projekteve arritën të shpenzohen në një kuotë minore, pasi janë disa milionë të pa shpenzuar.
Keqplanifikimi i bereqetshëm
Të hyrat vetanake në vitin 2017 kanë qenë të planifikuara në vlerë prej 29,574,132.00 eurove. Kjo pjesë është realizuar mirë, madje jashtë pritjeve të Komunës, pasi në shumë kategori ka pasur të hyra për dhjetëra, madje qindra herë më shumë se planifikimi i komunës, ndërsa në pak prej tyre ka pasur ngecje.
Të hyrat janë realizuar në kuotën prej 94.20 për qind, ose janë grumbulluar 27,857,554.60 euro.
Nga taksa për infrastrukturë rrugore, komuna kishte planifikuar të inkasojë vetëm 30 mijë euro, por nga kjo kategori pati të hyra 2 milionë e 435 mijë euro, ose 8118 për qind mbi planifikimin. (Për më shumë shih foton)
Projektet kryesore të 2018-tës që dështuan
Komuna e Prishtinës kishte ndarë 888 mijë euro për projektin “Rruga mbi lumin MAT”, por ky projekt nuk ka filluar. Projekt i pa nisur është edhe “Ndërtimi i kolektorit të lumit Prishtina dhe rruga mbi kolektor”, për të cilin projekt ishin ndarë mjete në vlerë prej 900 mijë euro. Kurse 1 milion euro ishin ndarë edhe për “Ndërtimin e parqeve rekreativo sportive në katër lagje të qytetit”, por ky projekt nuk ka filluar.
Po ashtu, 1.5 milion euro ishin ndarë për “Tregun e ri të qytetit”, por ky projekt është në fazën fillestare. Mandej “Mobileria Urbane (investimi ne banka pushimi, shporta, pritore të autobusëve” ishin paraparë 500 mijë euro dhe nuk është zbatuar. Për objektin e ndërtimit Galeria e Artit ishin ndarë 350 mijë euro, por as ky projekt nuk ka nisur.
250 mijë euro ishin ndarë edhe “Hartimin e Hartës Zonale të Komunës Prishtinës”, por para pak ditësh ka dështuar tenderi për këtë projekt, pasi nuk ka pasur ofertues.
550 euro është dashur të kushtojë edhe ndërtimi i QKMF në Veternik, por as ky projekt nuk ka nisur në vitin e kaluar, ashtu siç ishte paraparë.
Në vitin e kaluar komuna kishte paraparë që të ketë edhe konkurs për ndërtimin e spitalit të qytetit, por edhe ky projekt ka mbetur në letër.
250 mijë euro që nuk janë realizuar ishin ndarë edhe për projektin “Konkurse për projektim (salla koncentrale, pishina olimpike, teatri i qytetit”.
I papërfunduar është edhe revitalizimi i shkallëve dhe ndërtimi i mbikalimit, në lagjen “Arbëria”. Kontrata është nënshkruar me 05. 02. 2018 dhe ka qenë në vlerë prej 463 mijë euro. Sipas, planit dinamik është dashur ët përfundojë për 120 ditë, por ky projekt nuk ka përfunduar ende.
Për projektin “Ndërtimi i rrugëve në brendësi të fshatit Slivovë”, është lidhur kontratë me kompaninë NTP “Bashkimi”, me datë 12 shkurt 2018. Vlera e projektit ka qenë rreth 100 mijë euro dhe, sipas planit dinamik punët është dashur të përfundojnë për 60 ditë. Por, Komuna hyri në marrëdhënie kontraktuale me kompani “Bashkimi”, pa përfunduar disa procedura të shpronësimit me banorët, dhe ky projekt ende nuk na nisur.
Projektet e vjetra nuk u kryen as vjet
“Ndërtimi i kolektorit betonarme për largimin e ujit atmosferik dhe kanalizimi fekal në rrugën mbi lumin Mat, në lagjen “Kalabria”, ka dështuar. Në vitin 2016, kontrata për këtë projekt është lidhur me konserciumin e kompanive GO “Jehona” , “Beni Construction” dhe “Arhiko Ing”. Plani dinamik ka qenë 180 ditë pune dhe vlera e projektit ka qenë 1, 696,063.32 euro. Është kryer vetëm një pjesë e vogël e punëve. Fillimisht ka pasur probleme pronësore, por pas tyre kompania ka neglizhuar punët. Për këtë projekt, Komuna ka thënë se ka paguar vetëm një situacion në vlerë prej 209.256.70 eurove për pak ato punë të kryera.
Janë disa projekte të ndërprera dhe të pa filluara të vitit 2015 që kanë probleme pronësore
Ka kontratë të lidhur qysh me 23 shtator 2015 për projektin “Ndërtimi i shkollës fillore në lagjen “Mati 1” dhe vlera është 1,458,452.95 euro, por punimet nuk kanë filluar, pasi rasti është në procedurë gjyqësorë për disa shkaqe pronësore ku mëtohej të ndërtohej shkolla.
Projekti “Ndërtimi i Sallës së edukatës fizike të shkollës “Shtjefёn Gjeqovi”, është në vlera 238,564.24 euro, dhe kontrata është nënshkruar me datë 22.10.2015. Edhe këtu punimet janë ndërprerë për shkak të problemeve me pronë.
“Ndërtimi i shkollës në lagjen “Kalabria”, me vlerë të projektit prej 1,458,452.95 euro dhe kontratë të lidhur me 30.10.2015, nuk ka filluar të kryhet po ashtu për shkak të problemeve pronësore.
“Ndërtimi i stadiumit të futbollit në Hajvali, faza II” ka nisur që në vitin 2016. Sipas kontratës së nënshkruar në mes Komunës së Prishtinës dhe SHPK “Vizion Capital Partners” – SHPK “Conex Group, plani dinamik i punëve ka qenë 120 ditë, por punimet akoma nuk kanë përfunduar, por janë në fazën përmbyllëse. Kontrata ka qenë në vlerë prej 414 mijë euro.
Kontrata që kapë vlerën rreth 2 milionë euro, “Ndërtimi i urave në pjesën perëndimore të Unazës qendrore” është nënshkruar në vitin 2016 në mes komunës dhe kompanisë “Rexha” SHPK. Kjo kontratë nuk është përmbyllur në vitin e kaluar, ani pse, plani dinamik ka qenë 180 ditë, nga data e nënshkrimit të kontratës.
Ende është në fazën tenderuese projekti i parkingut të madh nëntokësor të Fakulteti i Filologjisë, i cili po pretendohet të hapet me Partneritet Publiko Privat.
Ndërkohë, Plani i mobilitetit është hartuar që moti, përderisa ende nuk po zbatohet. Ka kohë që ka përfunduar ndërtimi i dy çerdheve, por ato nuk janë hapur akoma, përderisa asnjë çerdhe nuk është ndërtuar gjatë 2018-tës./M.B -FaktePlus