Virusi që po sjell vdekjen nëpër botë – masat e Kosovës në aeroport e pika kufitare
Përhapja e virusit që po sjell vdekjen nëpër botë, e sidomos në Kinë, aty edhe ku u shfaq për hërë të parë, është bërë kryetemë globale. Vdekjet e shumta, deri tani të më shumë se 200 personave, detyruan vende të shumta që të ndërmarrin masa parandaluese ndaj përhapjes koronavirusit. E Kosova edhe pse konsiderohet se është më pak e rrezikuar nga ky virus, ka ndërmarrrë masat e saj në aeroport dhe pikat kufitare. Zyrtarisht nuk dihet nëse gjatë ditëve të fundit ka pasur ndonjë person të ardhur në Kosovë prej vendeve aziatike.
Shpallja e emergjencës globale nga Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë që edhe Kosova të marrë disa masa parandaluese në rast të paraqitjes së ndonjë rasti me virusin vdekjeprurës, i njohur si Koronavirusi.
Masat parandaluese të Kosovës janë ndërmarrë sidomos në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, si dhe pikat kufitare, ku epiket mjekësore e ato të sigurisë, po shikojnë nëse drejt vendit tonë vijnë njerëz nga kontinenti aziatik (Kina), vend ku edhe është përhapur fillimisht ky virus.
Zyrtarë nga aeroporti kanë treguar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus mënyrën se si po veprojnë prej ditës kur është kërkuar të merren masa shtesë të sigurisë.
“Në rast se vërejmë persona me simptomë dyshuese, ekipi jonë mjekësor do të bëjë trajtimin e tyre fillestar dhe më pas lajmëron IKSHP-në të cilët ndërmarrin masa të mëtutjeshme. Policia Kufitare në rast se ka udhëtarë me origjinë destinacionin e prekur atëherë menjëherë lajmëron ekipin tonë mjekësor. Ne jemi në bashkëpunim të ngushtë me Policinë Kufitare në Aeroport dhe IKSHP”, ka thënë për FaktePlus Valentina Gara, zëdhënëse e Aeroportit “Adem Jashari”.
Edhe nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se ekipi mjekësor i IKSHPK-së është në kontakt të vazhdueshëm me policinë e kontrollit kufitar, sidomos kur ka udhëtarët të cilët e kanë vendin e origjinës së udhëtimit nga kontinenti aziatik.
Në fakt personave që udhëtojnë nga Kina, u bëhet skriningu i temperaturës dhe kontrolli mjekësor nëse shfaqin simptoma të caktuara.
“Në rast të deklarimit që udhëtarët kanë vendin e origjinës nga shteti në fjalë, atëherë bëhet: 1) skriningu i temperaturës së udhëtarëve që arrijnë në Pikat e Kalimit te Kufirit, 2) kontrolli mjekësor i udhëtarëve të cilët kanë këto simptome: a) ethe dhe simptomat të traktit respirator p.sh., kollë, vështirësi në frymëmarrje, b) në 14 ditët e fundit para fillimit të simptomave, nëse ka udhëtuar nga shteti në fjalë ose c) në 14 ditët e fundit para fillimit të simptomave, ka qenë në kontakt të ngushtë me ndonjë person i cili është duke u hulumtuar për 2019-nCoV ose person të sëmurë dhe të konfirmuar nga laboratori 2019-nCoV”, kanë thënë nga Zyra për informim e Policisë për FaktePlus.
*(nCoV-Novel Coronavirus, lloji i virusit që ka shpërthyer, shënim i redaksisë).
Megjithatë si nga Policia e Kosovës ashtu edhe nga Aeroporti nuk kanë dhënë detaje nëse ndonjë person nga kontinenti aziatik ka hyrë në territorin e Kosovës, muajin e fundit.
Ndryshe, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) është bërë të ditur se në vendin tonë nuk është shënuar asnjë rast me koronavirus, porse Kosova është e gatshme t’i aktivizojë të gjithë mekanizmat shtetëror e institucional, në rast të paraqitjes së ndonjë rasti të dyshimtë.
Nga ky institut gjithashtu u dhanë edhe masat për parandalimin e virusit.
“Shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes; larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre; shmangia e prekjes së fytyrës dhe mbulimi i gojës dhe hundës me faculetë, me mëngë ose parakrahë gjatë kollës dhe teshtitjes; hedhni faculetat e përdorura në shportën më të afërt të mbeturinave; nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore dhe tregoni historinë eventuale të udhëtimit jashtë vendit; personat e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes; të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz; personat të cilët kanë qenë në provincën Wuhan, Kinë brenda 2 javëve të fundit dhe kanë ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje, duhet menjëherë të kërkojnë ndihmë mjekësore”, thuhet në njoftim.
Përndryshe, Organizata Botërore e Shëndetësisë të enjten shpalli gjendjen e emergjencës pas shpërthimit të koronavirusit.
Vetëm në Kinë janë shënuar afro 10 mijë raste të personave të prekur, ndërsa më shumë se 200 persona nëpër botë raportohet të kenë vdekur.
Virusi është konfirmuar edhe zyrtarisht se ka arritur edhe në Gjermani, Britani të Madhe, Itali dhe disa vende tjera./FaktePlus