Virusi përhapet edhe para se të shfaqen simptomat thonë zyrtarët Kinez
Koronavirusi, me të cilin janë infektuar gati dy mijë persona në pjesë të ndryshme të botës, është ngjitës gjatë periudhës së inkubacionit dhe para se të shfaqen simptomat e para, duke e bërë më të vështirë kontrollimin e tij, thanë zyrtarët kinezë.
Deri më tash, 56 persona kanë vdekur nga virusi i rrezikshëm. Ministri kinez i shëndetësisë, Ma Xiaowei, tha para gazetarëve se duket që aftësia e virusit për t’u përhapur është duke u forcuar.
Te njerëzit, periudha e inkubacionit – gjatë së cilës një person është i infektuar, por nuk ka simptoma, sillet nga 1 deri në 14 ditë, siç thonë zyrtarët kinezë.
Pa u shfaqur simptomat, njerëzit mund të mos e dinë se janë të infektuar, por mund ta transmetojnë virusin tek të tjerët, shkruan “BBC”.
Ndryshe nga ky virus, personat e infektuar me Ebola dhe Sars mund t’i infektonin të tjerët vetëm pas shfaqjes së simptomave.
Kështu, parandalimi i përhapjes së viruseve që kalojnë nga një njeri te të tjerët ende pa u shfaqur simptomat parashihet të jetë punë shumë e vështirë për autoritetet kineze.
Virusi i ri shkakton infektim të rëndë në organet e frymëmarrjes. Simptomat fillojnë me temperaturë, më pas me kollë të thatë dhe shkurtim të frymëmarrjes.
Ky virus tashmë është përhapur edhe në shtetet që ndodhen afër Kinës, përfshirë Japoninë, Tajlandën e Korenë Jugore, por ka shkuar edhe përtej Azisë, duke arritur në Shtetet e Bashkuara dhe në Francë.