“Virusi nuk është gënjeshtër”, flet infermierja nga Infektiva ku po trajtohen të infektuarit me COVID-19
Infermierja në Klinikën Infektive, Marigona Haziri ka treguar eksperiencën e saj gjatë kohës së panemisë, e cila u detyra të qëndroj për tre muaj rresht larg familjes së saj.
Haziri tha se frika vazhdon të jetë e pranishme.
“Virusi nuk është gënjeshtër. Po shoh komente në rrjetet sociale që e thonë këtë, por jo, nuk është ashtu. Sikur ata të shohin gjendjen në Klinikën infektive siç ne personeli e shohim, besoj që çdo qytetar do të respektonin masat mbrojtëse dhe do të ruhej nga ky virus”, thotë Haziri për REL.
Haziri ka nisur tre vite më parë profesionin e saj si infermiere në Infektivë dhe thotë se asnjëherë më parë nuk është përballur me një gjendje të tillë.
“Një ditë e zakonshme në gjendje normale në Klinikën Infektive është më e qetë, por tani në pandemi kemi shumë punë. Në ora 7:00 fillon ndërrimi i ditës deri në ora 19:00. Sot (2 qershor) kam ardhur (në Klinikën Infektive) në ora 7:00 të mëngjesit, tek pacientat kam hyrë në ora 7:30 dhe kam mbetur e veshur me rroba deri në ora 14:00 për shkak të punëve të shumta”.
Numri i madh i pacientëve të hospitalizuar, thotë infermierja Marigona Haziri, bën që puna të bëhet pa pushim.
“Për shkak të mbingarkesës me pacientë të hospitalizuar jemi të detyruar të jemi të veshur me ato rroba që të mbrojnë nga koronavirusi deri në 7 orë, pa ngrënë dhe pa pirë, pra të izoluar ”, thotë ajo.
Marigona Haziri thotë se puna në Klinikën Infektive çdo ditë e më shumë po bëhet më e vështirë, por që kjo nuk i ndal infermierët dhe gjithë personelin shëndetësor të luftojnë me virusin.
“Është mjaft e vështirë, por me punë dhe angazhim jo vetëm nga unë, por komplet stafi i Klinikës Infektive kemi angazhim të madh, dhe kemi motiv që të punojmë me këto raste dhe nuk po lodhemi asnjëherë”, thotë ajo.