Vetëvendosje, LDK-së: Bashkëpunojmë, por Qeverinë e udhëheq Albin Kurti
Dy partitë kryesore të bllokut opozitar Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje, po shprehen se janë për një partneritet në formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës, por këto subjekte po vazhdojnë të deklarohen se nuk do të lëshojnë pe kur bëhet fjalë për postin e kryeministrit.
Posti i kryeministrit duket se do të jetë shkaktari kryesor që LDK e LVV të mos munden të lidhin koalicion së paku parazgjedhor, pasi po ngulin këmbë me premtimin se ndryshimet vetëm me kandidatin e tyre për kryeministër.
Deputetja e Vetëvendosjes, Arberia Nagavci në një prononcim për FaktePlus ka thënë se partia e tyre është e interesuar që bashkë me LDK-në ta sjellin ndryshimin kaq të nevojshëm në vend, por se nuk do ta negociojnë postin e kryeministrit, i cili sipas saj pritet ta marr Albin Kurti.
“Ne besojmë se vendit i nevojitet një ndryshim rrënjësor, e ai ndryshim nuk mund të bëhet pa pasur një qeverisje të personave të cilët nuk bartin asnjë barrë të përgjegjësisë për gjendjen e vendit e që ne besojmë se ai person i duhur është Albin Kurti. Kështu që në jemi shumë të interesuar dhe të gatshëm që bashkë me LDK-në ta sjellim ndryshimin kaq të nevojshëm në vend, por kjo nuk mund të bëhet pa pasur kryeministër personin i cili edhe ashtu është më i votuar në Republikën e Kosovës”, ka thënë Nagavci, shkruan FaktePlus.
Ajo tutje ka shtuar se nuk është çështje e lëshimit pe për postin e kryeministrit, por është çështje e besimit e që votuesit i kanë dhënë Albin Kurtit.
“Nuk është çështje e lëshimit pe por është yshtje e besimit dhe ne nuk mund të negociojmë me pozitën e Kryeministrit sepse jemi të interesuar të bëjmë ndryshime në vend dhe personi i vetëm që mund tu prijë këtyre ndryshimeve në vend është vetëm Albim Kurti”, ka thënë Nagavci.
Në anën tjetër deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke folur për një koalicion të mundshëm me parti tjera, ka thënë se nuk vjen ë shprehje dhënia e pozitës së kryeministrit, partnerit të ardhshëm qeveritar.
“Nuk vjen në shprehje dhënia e pozitës së kryeministrit”, ka thënë Abdixhiku.
Ai tha se preferon që të shkohet vetmas në zgjedhje dhe të mos futen në koalicion deri pas përfundimit të zgjedhjeve.
LDK është përfolur që do futet në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila ka thënë po ashtu se e dëshiron postin e kryeministrit.
Në zgjedhjet e fundit e përgjithshme Lëvizja Vetëvendosje kishte dalë e para në zgjedhje përkundër se kishte garuar e vetme ndaj dy koalicioneve shumëpartiake. Por sipas sondazheve të fundit thuhet se tani LDK është subjekti që po prin me një epërsi të lehtë ndaj subjekteve tjera./FaktePlus