Vetëvendosje: Kadri Veseli ia ktheu borxhin Shpend Ahmetit
Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se partitë e koalicionit qeverisës në nivel qëndror i ndihmuan Partisë Socialdemokrate për t’a shkarkuar, sipas VV-së, jashtëligjshëm kryesuesin e Asamblesë Komunale të Komunës së Dardanës, Bajram Mavriqin, i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në një konferencë për media të mbajtur sot, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi u shpreh se “Kadri Veseli dhe Goran Rakiqi ia kthyen borxhin Partisë Socialdemokrate dhe Shpend Ahmetit”.
“Kjo qeveri ia ktheu borxhin PSD-së në Komunën e Dardanës. Duke ia bërë numrat qeverisjes së PSD-së në Asamblenë Komunale, ajo dje përmes një vargu shkeljesh procedurale shkarkoi kryesuesin e Asamblesë Komunale, Bajram Mavriqin, që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje”, u shpreh Kurteshi.
“Kadri Veseli dhe Goran Rakiqi ia kthyen borxhin Shpend Ahmetit, PSD-së dhe Qëndron Kastratit në Dardanë”.
Vetëvendosje ka thënë se do të ankohet në çdo instancë kundër shkeljeve ligjore në procesin e rrëzimit të Mavriqit nga Asambleja Komunale e Dardanës.