Vetëvendosje ia numëron Shpend Ahmetit premtimet e pa mbajtura për 2018-tën
Kryetari i Qendrës së Prishtinës, Arben Vitia hapi tryezën me një analizë të përgjithshme të premtimeve të pambajtura nga programi 100 pikësh me të cilin kishte garuar Shpend Ahmeti. Ai tha se projektet të cilat janë premtuar për vitin 2018, jo që nuk janë përfunduar, por në disa as nuk është filluar të punohet.
“Sot përkundër reformave të iniciuara për një qytet më të pastërt, qyteti i Prishtinës vazhdon të jetë më i ndotur e më i papastërt. Plani i mobilitetit është hartuar që moti, përderisa ende nuk po zbatohet ai. Reformimi i transportit publik është harruar. Ndërtimi i dy çerdheve ka përfunduar moti e nuk po hapen, përderisa asnjë çerdhe nuk është ndërtuar gjatë 2018-tës. Ndërtimet pa leje i janë kthyer Komunës sonë. Edhe pse ka marrë procesin mbi vete, asnjë hap nuk është ndërrmarrë për fillimin e punëve për Spitalin e Qytetit. Pavarësisht premtimit që në Qershor të 2018 nuk do të ketë asnjë gropë nëpër lagje e fshatra, gjendja gjithnjë e më shumë po përkeqësohet” përmbledhi kryetari Vitia.
Ai tha se duke njohur kryetarin e Komunës dhe vonesat që ai ka pasur në të kaluarën për ti proceduar punët, tash me kyçjen e tij në negociatat me Serbinë, kjo gjë e bën pothuajse të pamundur ecjen përpara të projekteve për Komunën e Prishtinës. “Këtë, në fakt e vërtetojnë deklarimet publike të kohës së fundit, edhe nga vet z.Ahmeti, i cili udhëheqjen me Prishtinën e lë si opsionale varësisht nga rrjedha e negociatave”
Kryetari Vitia përmbylli fjalën e tij duke thënë që me ato që janë parë gjatë këtij viti, edhe vitet tjera do të jenë vite kur vetëm sa do të shtohet numri I premtimeve të pambajtura të kryetarit Ahmeti
Nora Kelmendi duke bërë analizë e linjave buxhetore të Komunës së Prishtinës tha se kryetari Ahmeti as në KAB (Kornizën afatmesme buxhetore) e as në buxhetin e vitit 2019 nuk i ka të pasqyruara premtimet e 100 pikëshit si dokument me të cilin do të duhej ta orientonte punën e tij.
“Nëqoftese do ta shikoni këtë dokument do të shihni që më shumë ka përshkrim të punëve të personave të caktuar dhe drejtorive brenda komunës dhe askund nuk do të shihni objektiva zhvillimore të Komunës. Siç dihet qeverisja e mire më së miri shihet në aftësinë për të planifikuar përtej vitit kalendarik e që në këtë Kornizë ky planifikim pothuajse nuk ekziston fare. Për më shumë ky dokument ka disa margaritarë si planifikime strategjike: Tek te dhënat e parashikimit të të hyrave buxhetore komunale për tri vitet në vijim, nga 29 burimet e parashikuara të të hyrave, ne 23 kategori të të hyrave kemi vetëm kopjim të numrave për secilin vit dhe nuk figuron as edhe një ndryshim i vetëm. Neqoftese e shikojme tabelen e planifikimit te shpenzimeve te komunës për vitet ne vijim, situata është edhe më e keqe ku për 4 kategori te shpenzimeve nga gjithsejt 5, shumat e planifikuara për vitin 2020 janë edhe deri në cent të njejta me ato të vitit 2019. Këtu madje as nuk listohet granti që komuna e merr në bazë të ligjit për kryeqytetin edhe pse kjo shumë ka qenë e ditur për ta. Tek listimet e drejtorive dhe “vizionet” apo “misionet” e tyre, në këtë dokument startegjik gjen edhe margaritarë të llojit: Misioni i nënkryetarëve është koordinim i punës me komitete e fshatra, koordinon oraret me mediat elektronike” tha ndër të tjera Kelmendi.
Ajo përmbylli fjalën e saj duke thënë se e vetmja fushë ku kryetari Ahmeti ka punuar janë publikimet në rrjete sociale.
Yll Rugova duke folur për planin e mobilitetit tha se kjo si ndër dokumentet kryesore të Komunës është promovuar njëherë gjatë vitit 2017 si punë e kryer.
“Jemi në hyrje të vitit 2019 dhe po shihet që plani s’është përfunduar pavarësisht promovimit si punë të kryer. Implementimi i plani i mobilitetit që parashihet të kushtojë 124 milionë euro, në Kornizën Afatmesme Buxhetore nuk figuron fare me këto shuma. Kjo kornizë në fakt parasheh rreth 3 milionë euro në vit, që nëse mbledhen i bie më pak se 10 milionë euro ne total. Si beson ta implementojë këtë plan 124 milionësh komuna, kur për këtë ka planifikuar më pak se 10 milionë” tha ndër të tjera Rugova. Ai në përmbyllje tha se nga veprimet e kryetarit po shihet që ai punën e kryetarit të Komunës e sheh si të përkohshme deri sa të gjejë një ‘punë më të mirë’.
Pas këtyre fjalëve u hap debat me të gjithë të pranishmit ngai cili debat dhe fjalët hyrëse u arrijtën këto konkluza të tryezës:
– Stagnimi i Komunës së Prishtinës ka arritur përmasa të tilla që pamundëson tërësisht implementimin e disa prej 100 zotimeve elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje
– Korniza Afatmesme Buxhetore (KAB) është në shpërputhje të plotë me 100 zotimet e fushatës
– Angazhimi në procesin negociator e ka lënë Komunën e Prishtinës defakto pa kryetar që udhëheqë me politikat komunale
– Së këndejmi, Lëvizja Vetëvendosje duhet edhe më tutje të intensifikojë aktivitetin e saj karshi gjendjes në Komunën e Prishtinës
– Ne duhet të organizohemi në nivel lagjesh të qytetit dhe të fshatrave që të mbajmë diskutime me qytetarët mbi gjendjen dhe zgjidhjen e problemeve në Prishtinë
– Duhet të aktivizojmë bashkësitë lokale përmes pikave tona
– Duhet të nxisim reagimin dhe denoncimin qytetar në forma të ndryshme
– Duhet të njoftojmë qytetarë që mund të bashkëpunojnë me këshilltarët tanë komunal për hallet dhe problemet në Komunën e Prishtinës. /FaktePlus